Qëndrim Kryeziu ka bërë të ditur se ka ngritur dy padi në Gjykatën Themelore ndaj Abdullah Klinakut dhe Ali Sefajt, për siç pretendon ai, shpifje, cenim të reputacionit personal dhe dëmtim të emrit të TV Arbëria.
Sipas Kryeziut, paditë lidhen me deklarata dhe publikime të bëra nga Klinaku dhe Sefaj në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, përmbajnë akuza dhe etiketime të pabazuara që kanë dëmtuar reputacionin e tij personal dhe profesional.
Kryeziu ka publikuar edhe pjesë nga deklaratat për të cilat thotë se janë bërë objekt i padive.
Ai pretendon se Abdullah Klinaku e ka cilësuar TV Arbërinë si medium që, sipas tij, është vënë në një agjendë të përçarjeve politike dhe fetare, ndërsa e ka përshkruar si “instrument të eksponentëve të Lëvizjes për Rikthim”.
Ndërkohë, sipas Kryeziut, Ali Sefaj, duke iu referuar një dokumenti të publikuar prej tij lidhur me pretendimet për Xhafer Shatrin, e ka cilësuar atë si “argat të Lëvizjes për Rikthim” dhe ka ngritur pikëpyetje rreth mënyrës se si dokumentet kanë arritur në posedim të tij.
Kryeziu thotë se nuk ka problem me kritikën apo kundërshtimin e qëndrimeve dhe materialeve të tij, por kundërshton atë që i konsideron etiketime, insinuata dhe akuza pa prova.