Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qëndrim Kryeziu ngre pikëpyetje për kandidaturën e Feride Rushitit për Presidente

Qëndrim Kryeziu ngre pikëpyetje për kandidaturën e Feride Rushitit për Presidente

Qëndrim Kryeziu ka reaguar ndaj propozimit të Feride Rushiti nga Lëvizja Vetëvendosje për kandidate për Presidente të Kosovës, duke theksuar se kjo kandidaturë ngre disa pyetje serioze që, sipas tij, kërkojnë përgjigje publike dhe transparente.

Kryeziu vë në pah rolin e Rushitit si drejtoreshë e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për më shumë se 25 vite, duke ngritur dilema lidhur me menaxhimin e fondeve ndërkombëtare të destinuara për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Pyetja legjitime është se si janë menaxhuar këto fonde dhe sa prej tyre kanë shkuar realisht te viktimat, krahasuar me shpenzimet administrative dhe aktivitetet tjera”, ka deklaruar ai, duke shtuar se transparenca për auditimet e pavarura është e domosdoshme.

Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e rezultateve konkrete në terren, duke pyetur se sa viktima kanë përfituar rehabilitim të plotë dhe mbështetje të qëndrueshme gjatë viteve.

Sipas Kryeziut, përtej angazhimit në shoqërinë civile, posti i Presidentit kërkon profil institucional dhe përfaqësim të denjë në arenën ndërkombëtare.

“Roli i Presidentes nuk është ai i një aktivisteje, por i një figure që përfaqëson kredibilitetin e shtetit në instanca si OKB, Bruksel apo Washington”, theksoi ai.

Në fund, Kryeziu ka theksuar se një kandidate për Presidente duhet të ketë kredibilitet të pakontestueshëm dhe aftësi për të bashkuar spektrin politik, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse kjo kandidaturë e forcon apo e dobëson imazhin e Kosovës.

“Transparencë e plotë, jo vetëm lavde”, përfundoi ai.