Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj qasjes së kryeministrit në raport me institucionet dhe opozitën, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në politikë.
Sipas Kryeziut, pas një periudhe të gjatë në të cilën, siç thotë ai, janë përdorur “mjete dhe metoda të dhunshme” për të ardhur në pushtet, sot kërkohet rend, disiplinë dhe respekt institucional nga të tjerët.
Ai thekson se transformimi i Parlamentit të Kosovës në një “llogore të luftës guerile”, ku deputetët e partive të tjera janë sulmuar dhe është rrezikuar edhe siguria e tyre përmes përdorimit të gazit lotsjellës dhe mjeteve të tjera, përbën një precedent të rrezikshëm për demokracinë në vend.
“Është paradoksale që sot kërkohet duartrokitje dhe mbështetje nga ata që dikur ishin cak i sulmeve politike dhe fizike”, thuhet në reagimin e tij.
Kryeziu e cilëson këtë qasje si një shembull negativ të ndërtimit të karrierës politike, duke theksuar se, sipas tij, ngritja në pushtet nuk duhet të vijë duke rrënuar institucionet e shtetit.