Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në vend, duke akuzuar qeverinë aktuale për, siç thotë ai, devijim të plotë nga premtimet fillestare për drejtësi dhe transparencë.
Sipas Kryeziut, pushteti që erdhi me sloganin e “duarve të pastra” dhe moralit të lartë, sot po përballet me një sërë skandalesh që, sipas tij, tregojnë një realitet krejtësisht ndryshe.
“Ky pushtet nuk është më as zhgënjim është mashtrim i hapur,” ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur rastet e fundit që kanë qarkulluar në publik, duke përfshirë arrestimin e vëllait të një zyrtari të njohur në një operacion kundër bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale, si dhe incidente të tjera që lidhen me familjarë të figurave politike.
Kryeziu thekson se këto nuk mund të konsiderohen më si raste të izoluara.
“Sa ‘rastësi’ duhen derisa të kuptohet që nuk kemi të bëjmë me incidente, por me një sistem të tërë?” ka pyetur ai.
Ai ka ngritur shqetësimin se, ndërkohë që këto zhvillime dalin në pah, qytetarët përballen me rritje çmimesh, vështirësi ekonomike dhe mbyllje të bizneseve të vogla.
“Paraja publike po përqendrohet te një rreth i ngushtë, ndërsa qytetari i zakonshëm po shtrydhet çdo ditë,” ka shtuar Kryeziu.
Megjithatë, ai ka theksuar se askush nuk duhet të shpallet fajtor pa vendim të gjykatës, por ka insistuar se përgjegjësia politike shkon përtej vendimeve gjyqësore.
“Politika matet me besim. Dhe ky pushtet e ka djegur atë besim,” është shprehur ai.
Në fund, Kryeziu ka ngritur një pyetje për opinionin publik:
“Sot nuk është më çështja nëse ky pushtet ka dështuar por sa thellë ka rënë.”