Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Humbën një Erion, gjetën shumë ‘Eriona’” – Kryeziu falënderon tifozët dhe klubin e Vushtrrisë për mbështetjen

“Humbën një Erion, gjetën shumë ‘Eriona’” – Kryeziu falënderon tifozët dhe klubin e Vushtrrisë për mbështetjen

Një vit pas ndarjes nga jeta të futbollistit të ri Erion Morina, kandidati për deputet nga PDK, Qëndrim Kryeziu, ka kujtuar nipin e tij përmes një postimi emocionues, duke theksuar se dhimbja për humbjen e tij po rritet çdo ditë.

“Sa më shumë që kalon koha, aq më tepër po na shtohet dhimbja. Ende sot e kësaj dite jetojmë me mall dhe me dashuri për ty, Erion,” shkruan Kryeziu, duke shtuar se sjelljet, zëri, dashuria dhe ëndrrat e të riut të ndjerë nuk mund të harrohen kurrë.

Erion Morina, një emër i njohur në futbollin e Kosovës, ka qenë pjesë e klubeve Prishtina, Besa e Pejës, Drenica, 2 Korriku, Llapi, Malisheva, Ulpiana dhe së fundmi Vushtrria. Ai u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje, duke luftuar për jetën për disa javë në spital, por fatkeqësisht humbi betejën.

Kryeziu e cilëson këtë humbje si një tragjedi jo vetëm për familjen, por edhe për sportin kosovar. Ai përmend mbështetjen e jashtëzakonshme nga tifozeria “Forca e Vushtrrisë” dhe “FV Vushtria”, të cilët, siç thotë ai, “u gjendën çdo herë pranë nesh”.

Në postimin e tij, kandidati i PDK-së ngriti edhe shqetësimin mbi mungesën e mjekësisë sportive në Kosovë, duke theksuar se rastet e tilla tregojnë urgjencën për investime më të mëdha në këtë sektor. “Investimi në mjekësi sportive është parakusht që në të ardhmen familjet tona të mos përballen me humbje kaq tragjike,” shkruan ai.

Në fund, Qëndrim Kryeziu shprehet se Erioni do të kujtohet përjetë me dashuri nga ai, babai i të ndjerit – Iliri, si dhe e gjithë familja.