Në përvjetorin e Betejës së Koshares, Qëndrim Kryeziu ka përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re kombëtare, duke e cilësuar 9 Prillin e vitit 1999 si datën kur “u hoq kufiri që ndante tokat shqiptare”.
Përmes një mesazhi përkujtimor, Kryeziu theksoi se në Betejën e Koshares, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vullnet dhe guxim të jashtëzakonshëm, shembën një padrejtësi historike dhe dëshmuan se asnjë forcë nuk mund ta ndalë idealin për bashkim.
Ai rikujtoi se në këtë betejë heroike ranë 144 dëshmorë në altarin e lirisë, ndërsa ndër emrat e pavdekshëm të saj përmendi edhe luftëtarin Izet Morina nga Astrazupi i Malishevës.
“Në nderim të kësaj sakrifice sublime, sot qëndruam në Koshare”, ka bërë të ditur Kryeziu, duke përfunduar mesazhin e tij me thirrjen: “Lavdi të rënëve për liri!”
Beteja e Koshares mbetet një ndër momentet më të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbol i sakrificës për lirinë e vendit.
/TV Arberia