Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Qëndrim Kryeziu: Kosova në kolaps energjetik, paralajmërohet rritje e re e çmimit të rrymës deri në 50 për qind

Qëndrim Kryeziu: Kosova në kolaps energjetik, paralajmërohet rritje e re e çmimit të rrymës deri në 50 për qind

Kosova po përballet me një kolaps të thellë energjetik, ndërsa reduktimet e energjisë elektrike kanë nisur në mbarë vendin, pas paralajmërimeve të fundit nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Dalja nga funksioni e Bllokut B1 të Termocentralit “Kosova B” ka rënduar edhe më tej situatën energjetike.

Kështu ka deklaruar Qëndrim Kryeziu, ish-kandidat dhe kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e përgjithshme, i cili ka paralajmëruar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për qytetarët dhe bizneset në vend.

Sipas tij, përveç krizës aktuale dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike në prill të vitit të kaluar, si dhe detyrimit të bizneseve që ta sigurojnë energjinë me çmime deri në 250 për qind më të larta, zyrtarë qeveritarë kanë paralajmëruar edhe një rritje të re të çmimit të energjisë deri në 50 për qind gjatë pranverës së këtij viti.

Kryeziu vlerëson se një vendim i tillë do të përbënte “goditje fatale për ekonominë e Kosovës”, e cila sipas tij tashmë është e dobësuar, duke shkaktuar një zinxhir të ri të rritjes së çmimeve dhe duke e rënduar jetën e çdo qytetari.

Ai thekson se më të goditurat nga kjo politikë energjetike do të jenë kompanitë vendore, të cilat, sipas tij, do ta humbasin konkurrueshmërinë ndaj vendeve të rajonit, duke e bërë Kosovën gjithnjë e më të varur nga importi.

“Një situatë e tillë do të sillte më pak vende pune, rritje të shpopullimit dhe dobësim të forcës së brendshme ekonomike të vendit”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka shtuar se çdo paralajmërim për shtrenjtim të ri të energjisë duhet të shihet si një sinjal për, siç e quan ai, “plaçkitje të reja nga xhepat e qytetarëve, nën maskën e krizës energjetike”.

Në fund, Kryeziu ka hedhur dyshime se kaosi aktual energjetik mund të mos jetë i rastësishëm, por një përpjekje për të justifikuar paraprakisht rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike.