Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka bërë një reagim të ashpër ndaj kryeministrit në ikje Albin Kurti, duke e cilësuar qeverisjen e tij si ndër më të korruptuarat që ka pasur Kosova.
Në një deklaratë të publikuar sot, Kryeziu thekson se modeli i qeverisjes së Kurtit ka ngjarë me praktikat e udhëheqësve autoritarë, duke përmendur Ferdinand Marcosin si shembull të kapjes së shtetit, kontrollit ekstrem dhe manipulimit institucional.
Sipas tij, përmes Ligjit 08/L-125 dhe ndryshimeve të bëra fshehurazi në Ligjin për Pyjet — përfshirë nenin 25 të futur natën e 26 tetorit 2023 prona publike është përqendruar në një zyrë të vetme, duke krijuar monopol politik dhe ekonomik në duart e qeverisë.
“Kjo është qasja e një kryeministri të përfshirë në kapje, jo në zhvillim. Dëmet e shkaktuara vendit arrijnë shifra që shkojnë deri në triliona euro,” thekson Kryeziu, duke shtuar se këto veprime do të kenë pasoja afatgjata për Kosovën.
Ai pyet nëse vendi po rrëshqet drejt një modeli të ngjashëm me “mbretëri” politike, duke theksuar se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet.
Kryeziu deklaron se së bashku me kandidatin për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamza, prioritet mbetet rikthimi i pronave te qytetarët dhe rivendosja e rendit demokratik.
“Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe rikthim te logjika e punës. Jo eksperimente të dështuara. Unë kandidoj për të rikthyer këtë kurs, për të sjellë një shtet që hap mundësi – jo që i mbyll ato,” përfundon Kryeziu.
<