Qendrim Kryeziu, ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të PDK-së.
Sipas Kryeziut, kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në të dhënat që kanë dalë nga procesi i rinumërimit të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Ai ka bërë të ditur se rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, ka dëshmuar se ka pasur gabime në numërimin fillestar.
“Në këtë mostër të kufizuar më janë shtuar 589 vota që nuk i kisha më parë. Bazuar në këtë trend, vlerësoj se numri im i votave mund të kalojë mbi 22 mijë vota”, ka deklaruar Kryeziu.
Sipas tij, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar, prandaj ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit.
Kryeziu ka theksuar se vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë.
Ai ka shtuar se besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve, duke shprehur pritjen që PZAP-ja ta shqyrtojë ankesën në mënyrë të paanshme.
“Më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij, që çdo votë e votuesit të jetë e numëruar ashtu siç është shprehur vullneti i tij më 7 qershor 2026”, ka deklaruar ai.
Kryeziu ka rikujtuar se edhe në proceset e kaluara zgjedhore i janë shtuar vota pas rinumërimeve, duke pretenduar se edhe këtë herë ekzistojnë deformime në procesin e numërimit.
“Kam parashtruar ankesë në PZAP dhe kërkoj që çdo votë të numërohet drejt. Ajo që është e imja, është e imja dhe jo e kandidatëve të tjerë, sepse kështu kanë vendosur qytetarët e jo komisionerët”, ka përfunduar Kryeziu.