Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Qëndrim Kryeziu kërkon përfaqësim kushtetues të diasporës: “Nuk është dekor elektoral, por shtyllë e shtetit”

Qëndrim Kryeziu kërkon përfaqësim kushtetues të diasporës: “Nuk është dekor elektoral, por shtyllë e shtetit”

Ish-kandidati dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e përgjithshme, Qëndrim Kryeziu, ka dalë me një deklaratë publike ku kërkon përfshirje reale dhe të garantuar me ligj të diasporës në jetën shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në deklaratën e tij, Kryeziu thekson se angazhimi për diasporën është obligim politik dhe moral, duke nënvizuar rolin vendimtar që ajo ka pasur në periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.

“Diaspora nuk është dekor elektoral. Ajo ka qenë shtyllë e rezistencës paqësore, bazë e rezistencës së armatosur dhe motor kryesor i mbijetesës ekonomike të vendit,” ka deklaruar ai, duke shtuar se përfaqësimi i diasporës duhet të jetë proporcional, meritokratik dhe i garantuar me ligj, e jo i reduktuar në një votë formale pa peshë reale politike.

Kryeziu ka bërë të ditur se do të lobojë fuqishëm brenda Grupit Parlamentar të PDK-së për procedimin e draft-ligjit që synon përfaqësimin kushtetues të diasporës. Sipas tij, PDK-ja, me 22 deputetë në Kuvend, ka kapacitet të plotë kushtetues dhe rregullativ për të iniciuar ligje me rëndësi shtetërore.

“Ky nuk është projekt partiak. Është projekt kombëtar dhe test serioz për sinqeritetin tonë politik ndaj diasporës,” ka theksuar Kryeziu, duke paralajmëruar se çdo pengesë ndaj këtij procesi nënkupton mbrojtje të status quo-së dhe përjashtim të qindra mijëra qytetarëve nga qeverisja e vendit.

Në fund të deklaratës, ai është zotuar se këtë temë do ta çojë deri në fund, në mënyrë publike, politike dhe institucionale, duke e konsideruar përfaqësimin e diasporës si një çështje thelbësore për demokracinë dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.