Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj votimit në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës për mbështetjen e një ekspozite që ai e cilëson si skandaloze për viktimat e luftës. Sipas tij, të gjithë ata që kanë votuar pro mbajnë përgjegjësi politike dhe morale për këtë vendim.
Ai thekson se përgjegjësisë nuk i shpëton as Partia Demokratike e Kosovës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Vlora Çitaku nga pozita që mban aktualisht. Kryeziu e konsideron këtë si një reagim të domosdoshëm dhe të natyrshëm pas asaj që ka ndodhur.
Kryeziu hedh poshtë arsyetimet e dhëna nga përfaqësues të PDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar për përmbajtjen e ekspozitës dhe se janë mashtruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Sipas tij, edhe nëse një pretendim i tillë është i vërtetë, mbetet i papranueshëm për një parti që ai e cilëson me traditë shtetformuese.
“Është e papranueshme që një parti e tillë të bjerë pre e manipulimeve të pushtetit. Detyra e saj duhet të jetë dhjetë hapa përpara Lëvizjes Vetëvendosje, e jo të pajtohet qorrazi për të votuar projekte të tilla,” ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Kryeziu ka kritikuar edhe projektin e Shkëlzen Gashi, për të cilin thotë se “riviktimizon viktimat e luftës”, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe fyes për kujtesën historike.
Reagimi i Kryeziut vjen në një kohë kur debatet për trajtimin e temave të luftës dhe viktimave të saj vazhdojnë të jenë shumë të ndjeshme në opinionin publik në Kosovë.