Kandidati për deputet nga PDK, Qëndrim Kryeziu, ka bërë thirrje për më shumë fokus te mirëqenia familjare dhe investimet në sektorët jetikë, duke theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit duhet të jenë një vendim për të ardhmen e familjeve në Kosovë.
Përmes një mesazhi publik, Kryeziu ka deklaruar se qytetarët duhet të udhëhiqen nga dashuria dhe kujdesi për familjen, e jo nga inati dhe përçarjet politike.
Ai ka theksuar se familja mbetet baza kryesore e shoqërisë dhe vendi ku ruhen e transmetohen vlerat nga një brez te tjetri.
Duke u ndalur te përvoja personale, Kryeziu ka folur edhe për sfidat që familjet po përballojnë në sektorin e shëndetësisë, duke përmendur përkujdesjen ndaj prindit të tij dhe vështirësitë që shumë qytetarë po hasin për shkak të kostove dhe mungesës së investimeve.
Sipas tij, Kosova vazhdon të ketë investime të ulëta në shëndetësi dhe arsim, ndërsa ka kritikuar mënyrën e trajtimit të pensionistëve dhe nivelin e investimeve për brezat e rinj.
“Kjo politikë duhet të ndalet, sepse familja nuk mirëmbahet me retorikë, por me përkujdesje”, ka thënë Kryeziu.
Në fund, ai ka bërë thirrje për bashkim dhe mbështetje në zgjedhjet e 7 qershorit, duke kërkuar votën për Partinë Demokratike të Kosovës dhe kandidaturën e tij.
“Prandaj, më 7 qershor duhet të vendosim për atë që na bashkon, e jo për atë që na ndan”, ka përfunduar ai.