Ish-kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka reaguar ashpër pas shpalosjes publike të dosjeve kriminale që lidhen me Jeffrey Epstein, duke ngritur shqetësime serioze për rolin dhe paanshmërinë e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas Kryeziut, informacionet e publikuara së fundmi kanë nxjerrë në pah lidhje private dhe afërsi politike të Lajçakut, të cilat, siç thotë ai, e vënë në pikëpyetje rolin e tij si ndërmjetës neutral në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeziu pretendon se qasja politike e Lajçakut ka qenë më afër interesave ruse dhe serbe sesa atyre të Kosovës dhe vetë Bashkimit Evropian.
“Roli i Lajçakut nuk ka qenë kurrë në shërbim të interesave të Kosovës. Ai ka funksionuar si një maskë e interesave ruse brenda institucioneve të BE-së”, ka deklaruar Kryeziu.
Në këtë kontekst, ai vlerëson se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duhet të tërhiqet pa hezitim nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e arritur nën ndërmjetësimin e Lajçakut dhe të dakorduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Kryeziu thekson se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, sipas tij, cenojnë rëndë interesat kombëtare të Kosovës, duke e kushtëzuar të ardhmen ndërkombëtare të shtetit nga vullneti i Serbisë dhe Rusisë, si dhe duke hapur rrugë për ndarje të brendshme territoriale përmes autonomisë së komunave me shumicë serbe.
Duke iu referuar zhvillimeve politike të së kaluarës, Kryeziu rikujton se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte kundërshtuar kategorikisht emërimin e Miroslav Lajçakut si ndërmjetës i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, duke paralajmëruar, sipas tij, për qasjen e njëanshme të diplomatit sllovak.
“Angazhimi kundër kësaj marrëveshjeje sot është edhe mbrojtje e një vizioni që koha po dëshmon se ka qenë i drejtë”, ka përfunduar Kryeziu, duke bërë thirrje për mobilizim të partive opozitare kundër marrëveshjeve të arritura nën drejtimin e Lajçakut.