Qëndrim Kryeziu ka reaguar pas dëmeve të mëdha që shkaktoi breshëri në disa zona të Kosovës, duke thënë se fermerët po përballen me humbje të jashtëzakonshme, ndërsa mbështetja institucionale, sipas tij, vazhdon të mungojë.
Ai ka veçuar rastin e fermerit Liridon Berisha nga Llashtica e Gjilanit, të cilit, sipas Kryeziut, breshëri i shkatërroi të gjitha të mbjellat. Bëhet fjalë për 50 ari me shalqi, 1.2 hektarë me pjepër, 70 ari me sallatë të gjelbër dhe 1 hektar me spec, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në reagimin e tij, Kryeziu ka kujtuar edhe vizitën e ministrit të Bujqësisë në Burim (Istog), ku, sipas tij, fermerët shprehën hapur pakënaqësinë ndaj institucioneve, duke e akuzuar qeverinë se nuk i ka mbështetur pas dëmeve që kanë pësuar.
Ai ka theksuar se revolta e bujqve nuk është e rastësishme, por lidhet me mungesën e ndihmës edhe për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e janarit. Sipas Kryeziut, shumë fermerë dhe familje të prekura vazhdojnë të presin mbështetje nga institucionet.