Drejtori i televizionit TV Arbëria dhe ish-kandidat për deputet nga PDK, Qëndrim Kryeziu, ka kujtuar figurën e At Shtjefën Gjeçovit si një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë së gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Në një shkrim përkujtimor, Kryeziu vlerëson kontributin jetësor të At Gjeçovit në mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe, duke theksuar se historia e saj nuk mund të kuptohet pa sakrificat e figurave që u flijuan për identitetin kombëtar.
Ai rikujton se At Gjeçovi ishte themeluesi i Shkollës së parë shqipe në Theth më 2 shkurt 1917, duke e shndërruar objektin fetar në vatër të arsimit dhe edukimit kombëtar. Po ashtu, Kryeziu thekson angazhimin e tij patriotik kundër politikave shkombëtarizuese dhe pushtimeve të huaja.
Sipas Kryeziut, trashëgimia e At Shtjefën Gjeçovit mbetet aktuale edhe sot, si mesazh për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe besnikërinë ndaj vlerave kombëtare. Ai e cilëson rënien e tij më 14 korrik 1924 si një amanet që duhet të nderohet nga çdo shqiptar.