Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër lidhur me një tender që, sipas tij, ka kaluar nga 5 mijë euro në 4.6 milionë euro, duke ngritur akuza për keqpërdorim të parasë publike.
Në një deklaratë publike, Kryeziu e cilësoi rastin si “hajni të pastër”, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin Dimal Basha për mungesë përgjegjësie ndaj këtij procesi.
Ai tha se mjetet financiare do të duhej të orientoheshin në sektorë me nevoja urgjente, si kujdesi për invalidët e luftës dhe shërbimet shëndetësore.
“Albin, unë po i paguj këto 5 mijë euro me kusht që këto 4.6 milionë t’i jepni për proteza të invalidëve të luftës, apo t’i dërgoni në shëndetësi për njerëzit që kanë nevojë për kimioterapi, apo te hemodializa ku mungojnë edhe kushtet bazike”, është shprehur Kryeziu.
Në fund, ai i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë, sipas tij, keqpërdorimin e fondeve publike dhe të fokusohet në përmirësimin e gjendjes në vend.
“Boll jeni ka vjedhni… hajde ta ndreqim vendin”, ka deklaruar ai.