Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla për, siç thotë ai, “legalizim të strukturave ilegale të Serbisë”.
Në një reagim publik, Kryeziu ka deklaruar se, sipas tij, për vite me radhë është krijuar një narrativë për “çlirimin e veriut” dhe për çmontimin e strukturave paralele serbe, por që realiteti sipas tij është i kundërt.
“Rrena dhe propaganda mund të jenë efektive për një kohë, por jo pambarimisht. I tillë është edhe mashtrimi i madh i Albin Kurtit dhe Xhelal Sveçlës mbi ‘çlirimin’ e veriut dhe çmontimin e strukturave ilegale paralele të Serbisë në veri,” ka shkruar ai.
Sipas Kryeziut, këto struktura jo vetëm që nuk janë shkatërruar, por ai pretendon se ato janë legalizuar me vendimet e fundit të institucioneve.
Ai shton se zhvillimet e fundit përbëjnë, sipas tij, një “kapitullim politik”, duke pretenduar se me marrëveshjet apo vendimet e fundit, shtetasit e Serbisë mund të kenë më shumë të drejta dhe privilegje sesa ata të Shqipërisë.
“Kjo është një dëshmi e qartë se për kë punon kjo dyshe anti-shtetërore dhe anti-kombëtare,” ka deklaruar Kryeziu në reagimin e tij.
/TV Arbëria