Qëndrim Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç thotë ai, tentativë për ta shndërruar në normë parlamentare praktikën e “mbylljes së gojës” ndaj atyre që kritikojnë pushtetin.
Në një deklaratë publike, Kryeziu tha se një situatë e tillë u pa gjatë raportimit të ministrit Andin Hoti para deputetëve, ku sipas tij deputetja Fatmire Kolqaku tentoi të pengojë përfaqësuesen e PDK-së, Arbnora Salihu, të shprehë qëndrimet e saj.
Sipas Kryeziut, arsyeja e reagimit ishte se deputetja Salihu tha “të vërtetën e pastër si loti” kur deklaroi se ministri Hoti është i rrethuar nga deputetë dhe ministra me mentalitet pro-serb.
Ai ironizoi edhe me deputeten Kolqaku, duke thënë se kolegia e tij “ndoshta ka bërë gabim që nuk i është drejtuar me ‘zdravo’”, duke shtuar se ajo “e kupton më mirë gjuhën e nënës së saj”.
Kryeziu tutje kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke pretenduar se pushtetarët e sotëm nuk kanë lidhje me idealet kombëtare shqiptare dhe se ngritja e tyre politike, sipas tij, është rezultat i mohimit dhe përçmimit të trashëgimisë kombëtare.
“Ky degradim ka bërë që në vend të njerëzve profesionalë dhe me përcaktim të qartë kombëtar, pozitat drejtuese në ministri dhe institucione të kontrollohen nga zyrtarë që biografia e tyre personale apo familjare lidhet me Serbinë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kryeziu ka thënë se Serbia, pasi e humbi Kosovën ushtarakisht nga lufta e UÇK-së dhe intervenimi i NATO-s, tani sipas tij po tenton ta pushtojë politikisht vendin.