Një nga objektet monumentale të Komunës së Shtimes, “Shtëpia e Përshpirtshme” apo e njohur si Qendra Rinore po i rikthehet e plotë, meritore e moderne rinisë, kulturës lokale, talentëve e sportistëve.
Kështu ka njoftuar kryetari i kësaj komune Qemajl Aliu duke thënë se kjo qendër do të transformohet në një hapësirë moderne.
“Sot pata kënaqësinë e madhe që me bashkëpunëtorë dhe të rinj të talentuar nga Komuna e Shtimes të vizitoj punimet në fazën fillestare në Qendrën Rinore, ku po bëhet rikonstruktimi rrënjësor me investim nga Ministria e Kulturës me një fond prej mbi 600 mijë euro. Kjo Qendër do të transformohet në një hapësirë moderne dhe funksionale, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për të rinjtë tanë, organizatat joqeveritare dhe klubet sportive”, tha kryetari Qemajl Aliu.
Sipas kryetarit Qemajl Aliu, përfitimet dhe aspektet e këtij projekti përfshijnë ambiente bashkëkohore për rininë ku do të kenë vend të përshtatshëm dhe të sigurt për zhvillimin e aktiviteteve të tyre edukative, kulturore dhe sociale.
“Për më tepër, do të ofrohet mbështetje për OJQ-të dhe klubet sportive me ofrim të zyrave moderne për ta. Me krijimin e këtyre ambienteve të reja do të nxitet përfshirja e qytetarëve në aktivitete sociale dhe sportive, duke krijuar ndjenjë të bashkësisë dhe solidariteti në Komunën tonë. Ky është edhe një premtim i mbajtur dhe projekt i rëndësishëm që tregon përkushtimin tonë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Vazhdojmë pa u ndalur me investime për të rinjtë tanë”, përfundoi kryetari Qemajl Aliu.