Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qarri për koalicionin LVV-LDK në Vushtrri: Marrëveshjen e shoh krejt të natyrshme dhe veprim plotësisht normal

Qarri për koalicionin LVV-LDK në Vushtrri: Marrëveshjen e shoh krejt të natyrshme dhe veprim plotësisht normal

Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nënshkroi sot koalicion me kandidatin e LVV-së për kryetar, Sylejman Meholli, për ta përkrahur këtë të fundit në balotazh kundër kandidatit të PDK-së.

Analisti politik Gani Qarri, për Arbëria TV, ka komentuar se mungesa e numrave të mjaftueshëm për arritjen e shumicës ka shtyrë kandidatët e degëve lokale të partive që të hyjnë në koalicione të “pa dëshirueshme” nga baza qendrore.

“Mungesa e numrave të mjaftueshëm për arritjen e shumicës njëjtë si në Kuvendin e Kosovës edhe kryetarët e kuvendeve komunale i ka shtyrë për bashkëpunim me kandidatët nga degët lokale të partive të ndryshme politike për arritjen e koalicioneve të ‘pa dëshirueshme’ nga baza qendrore, vetëm e vetëm që ti grumbullojnë vota e mjaftueshme për mandatin 4 vjeçar të kryetarëve të kuvendeve komunale siç ndodhi edhe në Vushtri ndërmjet Tahirit të LDK-së dhe Humollit të LVV-së”.

Në nënshkrimin e koalicionit ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili përveç përshëndetjes së marrëveshjes, theksoi:

“Të gjitha marrëveshjet ndërmjet partive, u sjellin vetëm të mira dhe përfitime konkrete qytetarëve, derisa marrëveshjet ndërpartiake dhe koalicionet si ky, nuk janë kundër askujt, por të formuara dhe përshtatura më tepër ambientit lokal, për zhvillimin dhe ecjen përpara të komunës dhe në dobi të qytetarëve.”

Në votimet komunale të 12 tetorit, Sylejman Meholli i VV-së doli i dyti me 30.77%, ndërsa Xhafer Tahiri me 19.81%, duke treguar nevojën për një koalicion për balotazh.

Qarri thekson rëndësinë e koalicioneve lokale.

“Marrëveshjen e shoh krejt të natyrshme dhe veprim plotësisht normal, derisa edhe vet kandidatët për kryetarë të komunave nuk janë të thirrur për të zhvilluar politikën qendrore të partive, por për të udhëhequr komunat, andaj çdo koalicion me subjektin më të përshtatshëm politik, duhet të jetë jo vetëm i pranueshëm por edhe i preferuar, si akt demokratik për të fituar mandatin 4 vjeçar, pa vjedhur apo manipuluar votat e konkurrenteve, madje edhe të bashkëpartiakëve”.

Qarri gjithashtu komentoi reagimin e kryesisë së LDK-së ndaj koalicionit.

“Habit fort reagimi negativ i kryesisë së LDK-së, e cila derisa vet ka hy në koalicion edhe me partitë kundërshtare… koalicionin e arritur komunal të z. Xhafer Tahiri, na e quaka të ‘papranueshëm’ vetëm pse rivali Ferit Idrizi vjen nga PDK, kur dihet mirëfilli se gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, z Tahiri i ka munguar mbështetja e partisë…”

Sipas Qarrit, vendimi i Tahirit për koalicion është një akt i logjikshëm për të siguruar mandatin 4 vjeçar dhe për të udhëhequr komunën në dobi të qytetarëve.