Mbase fajin e kanë ndërprerjet e mëdha të internetit, të urdhëruara nga shteti për vështirësimin e jetës së miliona rusëve, mbi të gjitha, të atyre në Moskë.
Mbase faji është te sulmet me dronë ukrainas që ua kanë prishur rusëve planet e fluturimeve dhe kanë kufizuar dukshëm eksportet ruse të naftës në Detin Baltik.
Mbase fajtor është asgjësimi i bagëtive të infektuara që ka nxitur protesta të ashpra nga bujqit në Siberi.
Mbase, mbase, fajtori kryesor është lufta kundër Ukrainës, e cila, pavarësisht premtimeve të Kremlinit për fitore të shpejtë, po vazhdon në vitin e saj të pestë, sepse forcat e Kievit po e sfidojnë fuqishëm Rusinë, e cila ka pësuar humbjen e rreth 1.2 milion ushtarëve: pra të vrarë dhe të plagosur gjatë kësaj lufte.
Pavarësisht arsyeve, e vërteta është se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është më aq popullor sa ka qenë dikur.
Në javët e fundit, një seri sondazhesh të opinionit publik – përfshirë dy të kryera nga sondazhistë të lidhur me shtetin – kanë vërejtur një rënie të mbështetjes për Putinin.
FOM, klienti kryesor i të cilit është Administrata Presidenciale, një organ i fuqishëm politikbërës brenda Kremlinit, ka regjistruar nivelin më të ulët të besimit publik për Putinin që nga shtatori i vitit 2022.
Rënia e vlerësimeve nuk shfaq ndonjë krizë politike për Kremlinin; Putini mbetet lideri i padiskutueshëm i vendit.
Zyrtarët e Kremlinit – mbi të gjitha Administrata Presidenciale – kanë kaluar vite duke mbuluar proceset zgjedhore në përpjekje për të krijuar perceptimin se rusët kanë i zgjedhin liderët e tyre në mënyrë të mirëfilltë, në atë që quhet “demokraci e menaxhuar”.
Por, zyrtarët e Kremlinit janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në opinionin publik, thonë ekspertët, dhe ndryshimi i tanishëm po analizohet nga afër brenda administratës nga zyrtarët e ngarkuar me menaxhimin e sistemit politik.
“Është e rëndësishme dhe mbështetet gjithashtu nga ngjarje dhe incidente të ndryshme”, tha Gulnaz Sharafutdinova, drejtoreshë e Institutit të Rusisë në King’s College London, duke treguar rastin e fundit që përfshinte një avokat agresiv pro-Kremlinit, i cili përfundoi në një spital psikiatrik pasi kritikoi ashpër Putinin.
Ndryshimi i humorit mund të shpjegohet nga disa faktorë, tha ajo: ndërprerjet nga dronët ukrainas; bllokimi i aplikacioneve si Telegram, WhatsApp dhe internetit; pritjet dhe premtimet e pambajtura nga negociatat për paqe në Ukrainë të mbështetura nga SHBA-ja; lodhja e përgjithshme nga një luftë e zgjatur që ka filluar të ndikojë më dukshëm në ekonomi.
“Kjo nuk do të thotë se revolucioni është në horizont, por tensionet në rritje nuk janë të mira për Kremlinin”, tha ajo.
“Ende nuk kemi mjaft të dhëna për të lidhur procese të caktuara shoqërore në grupe të caktuara shoqërore me këtë trend në rënie”, tha Konstantin Gaaze, sociolog me bazë në Tel Aviv dhe ish-këshilltar i Qeverisë ruse. “Kush saktësisht është i lodhur, i zhgënjyer apo i zemëruar?”
“Kemi parë ndërhyrje të mëdha në jetën e përditshme – ndërprerje të internetit dhe kufizime – por gjithashtu po shohim një tendencë më të zgjatur”, tha ai, duke shtuar: “Lufta po depërton gjithnjë e më thellë në zemrën e Rusisë evropiane. Dronë, sulme mbi rafineritë e naftës, e kështu me radhë. Këto gjëra akumulohen me kalimin e kohës”.
Lopë, tranguj dhe teknologji
Për vite me radhë, rregullatorët e teknologjisë – dhe agjencitë e sigurisë – kanë shtrënguar kontrollin mbi internetin brenda Rusisë, duke instaluar pajisje vëzhgimi, duke miratuar ligje kufizuese, duke detyruar kompanitë e teknologjisë të shiten te pronarë të lidhur me Kremlinin dhe duke ngadalësuar faqet dhe aplikacionet që nuk përputhen me rregulloret.
Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, zyrtarët kanë filluar të fikin shërbimin e internetit mobil në një numër gjithnjë e më të madh rajonesh.
Kremlini i ka arsyetuar ndërprerjet si një mënyrë për të parandaluar dronët ukrainas që të përdorin rrjetet ruse për navigim. Por, ngadalësimet, së bashku me kufizimin e aplikacioneve të njohura si Telegram dhe WhatsApp, kanë vështirësuar jetën e miliona njerëzve, veçanërisht në Moskë.