Presidenti rus Vladimir Putin i hapi udhë të martën një stërvitjeje masive të forcave bërthamore të vendit, përfshirë lëshimin e raketave për të simuluar kundërpërgjigjen ndaj një sulmi të mundshëm, ndërsa vazhdoi të shfaqë fuqinë bërthamore të vendit, mes tensioneve në rritje me Perëndimin lidhur me Ukrainën.
Duke folur gjatë një video-telefonate me udhëheqësit ushtarakë, Presidenti Putin tha se stërvitjet do të simulojnë veprimet e zyrtarëve të lartë në përdorimin e armëve bërthamore dhe do të përfshijnë lëshimin e raketave balistike dhe raketat me vetëdrejtim.
Ministri i Mbrojtjes Andrei tha se qëllimi i stërvitjes ishte praktikimi i kryerjes së “një sulmi masiv bërthamor nga forcat sulmuese strategjike në përgjigje të një sulmi bërthamor nga armiku”.
Presidenti Putin, i cili në mënyrë të përsëritur ka përmendur fuqinë bërthamore, ndërsa kërkon të pengojë që Perëndimi të rrisë mbështetjen për Ukrainën, theksoi të martën se arsenali bërthamor i Rusisë mbetet një “garanci për sovranitetin dhe sigurinë e vendit”.
“Duke marrë parasysh tensionet gjeopolitike në rritje dhe rreziqet e reja, për ne është e rëndësishme që të kemi forca strategjike moderne që janë gjithmonë të gatshme për luftë“, tha ai, duke theksuar sërish se Rusia e sheh përdorimin e armëve bërthamore si “aktin e fundit dhe më ekstrem për ruajtjen e sigurisë së vendit”.
Presidentin Putin vuri në dukje se Moska do të vazhdojë të modernizojë forcat e saj bërthamore, duke dislokuar raketa të reja me saktësi më të lartë dhe me shpejtësi më të madhe në nisje.
Si pjesë e stërvitjes, një raketë balistike ndërkontinentale Yars u lëshua nga baza Plesetsk në veriperëndim të Rusisë drejt Kamchatkas, një gadishull në lindje. Raketat balistike Sineva dhe Bulava u gjuajtën nga nëndetëset dhe raketat e tipit kruiz u lëshuan nga avionët bombardues strategjikë, tha ministria e mbrojtjes.
Muajin e kaluar, udhëheqësi rus paralajmëroi aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s se nëse do të lejohej që Ukraina të përdorte armët me rreze më të gjatë veprimi, të dërguara nga Perëndimi, për të sulmuar në thellësi të Rusisë, atëherë NATO-ja do të hynte në luftë me Rusinë.
Ai e përforcoi mesazhin duke shpallur një version të ri të doktrinës bërthamore, në bazë të së cilës, Rusia e konsideron çdo sulm kundër saj nga një vend që mbështetet nga një fuqi bërthamore, si një sulm të përbashkët, një sinjal paralajmërues për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Ukrainës.
Stërvitjet e së martës janë vazhdimësi e një sërë manovrash të tjera të forcave bërthamore të Rusisë.
Më herët gjatë vitit, ushtria ruse zhvilloi stërvitje të përbashkëta ushtarake me aleaten e Moskës, Bjellorusinë, në territorin e së cilës janë dislokuar disa armë bërthamore taktike të Rusisë./VOA