Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Putin kërcënon Perëndimin: Rusia mund të përdorë të gjitha armët nëse sulmohet Kaliningradi

Putin kërcënon Perëndimin: Rusia mund të përdorë të gjitha armët nëse sulmohet Kaliningradi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar Perëndimin se Rusia mund të përdorë “të gjitha armët” që ka në dispozicion, përfshirë armët bërthamore, në rast të një sulmi ndaj territorit rus.

Deklarata e tij është bërë në forumin vjetor Valdai, në një kohë kur tensionet janë rritur rreth Kaliningradit, territor rus i militarizuar që ndodhet mes Polonisë, Lituanisë dhe Detit Baltik.

“Nëse bëhet fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Federatës Ruse… atëherë çështja e përdorimit nga Federata Ruse të të gjitha llojeve të armëve në dispozicion do të jetë në mënyrë të pashmangshme dhe të menjëhershme në axhendë. Kjo është e pashmangshme”, tha Putin.

Në muajt e fundit, vendet anëtare të NATO-s kanë zhvilluar disa stërvitje ushtarake në zonat pranë Kaliningradit. Moska i ka cilësuar këto aktivitete si “provokuese”, ndërsa NATO ka dënuar kërcënimet ruse dhe, në veçanti, retorikën bërthamore.

Putin ka kritikuar gjithashtu stërvitjet e vazhdueshme ushtarake në Detin Baltik dhe ato që ai i përshkroi si përpjekje për të ndaluar ose kapur anijet ruse.

“E gjithë kjo përbën një përshkallëzim”, deklaroi presidenti rus.

Putin theksoi se Rusia nuk synon të sulmojë vendet evropiane, duke përmendur vitet 2029, 2030 dhe 2050. Megjithatë, ai paralajmëroi se në rast të një agresioni kundër Rusisë, Moska do të përgjigjej.

“Ne nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd, as në vitin 2029, as në vitin 2030, as në vitin 2050. Megjithatë, nëse përballemi me agresion, do të jemi të detyruar të përgjigjemi”, tha Putin.