Eksponentë të pushtetit në Kosovë, gjatë ditës së sotme janë marrë me denoncimin e “tradhtisë” ndaj vlerave të NATO-së, që i ka promovuar dje Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, për shkak të deklarimeve të tij, “se Serbia aktualisht është një partner më i afërt më NATO-në, sesa Kosova”.
E para që u dallua në këtë mision për ta mbrojtur NATO-në dhe demokracinë nga i dërguari i SHBA-së, ishte Vjosa Osmani. Gjatë një konference për media, ajo i mbajti leksione morale dhe politike, diplomatit amerikan në Serbi, se si Aleanca Veri-Atlantike është një aleancë në funksion të mbrojtjes së vlerave demokratike dhe kundër shteteve autoritare . Prandaj, shteti serb është shumë më afër Rusisë se sa NATO-së. Për më shumë, deklarata të tilla sipas të parës së shtetit të Kosovës janë ofendim ndaj shteteve demokratike që kanë ambicie të jenë pjesë e kësaj strukture kolektive të sigurisë.
Kësaj radhe të sulmeve ndaj diplomatit amerikan nuk kishte si të mos i bashkohej ideologu tjetër i pushteti, Elvis Hoxha. Në një reagim të tij ai ka shkruar se “Siç duket, ambasadori Hill ka të njëjtin opinion për NATO-n si dhe ish-presidenti Trump. Por për dobësimin e NATO-s nuk i referohet braktisjes së NATO-s. Jo! Ambasadori Hill mendon që NATO mund të dobësohet ndryshe, duke anëtarësuar në këtë organizatë aleatin më të bindur të Rusisë së Putinit. Edhe më shumë: duke lënë jashtë NATO-s shtetin më përkrahës të saj, Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Hoxha.
Ndërkohë, siç dihet Hoxha nuk ka nguruar asnjëherë që t’i promovojë dhe afirmojë ata ideologë sikur se, Alain Badiou, që dikur bënin thirrje të legalizohet politika e gjenocidit dhe spastrimit etnik të shqiptareve të Kosovës nga regjimi i Milosheviqit, duke e kundërshtuar intervenimin e NATO-së në vitin 1999, kundër asaj makinerie vrastare. Sepse të ishte kundër këtij aksioni në atë kohë nuk do të thoshte asgjë tjetër, pos të ishe pro Milosheviçit.
Pra, në kuadër të detyrave tjera në politikën e jashtme, tashmë partia në pushtet në Kosovë e ka marrë mbi vete një mision të madh politik dhe strategjik, ta mbrojë NATO-në nga armiqtë e brendshëm të saj.
/TV Arbëria