Avokati Arianit Koci ka njoftuar se pas një hetimi të gjatë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, hetimet ndaj Halil Çadraku janë pushuar.
Avokati Koci, udhëheqës i ekipit mbrojtës, ka theksuar se ky vendim është i mirëpritur për klientin dhe familjen e tij.
“Ky vendim është një zhvillim i rëndësishëm dhe i mirëpritur, jo vetëm për z. Çadraku dhe familjen e tij, por edhe për të gjitha proceset e tjera që po zhvillohen në Hagë. Pushimi i hetimeve pasqyron një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të fakteve dhe rrethanave të rastit. Ekipi ynë mbrojtës ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante gjatë gjithë procesit dhe ka qenë i bindur për pafajësinë e klientit tonë”, ka shkruar Koci në Facebook.
Koci ka theksuar se ky hap të shërbejë si shembull për respektimin e të drejtave dhe zbatimin e drejtësisë.
Avokati Koci, ka përfaqësuar dëshmitarin Halil Çadraku në Hagë, në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ai të enjten ka thënë se ka përshtypjen që të mërkurën nuk është lejuar që ta kryejë detyrën e tij si duhet.
Ai ka theksuar se në kohën kur u mor në pyetje klienti i tij nga gjyqtari Guénaël Mettraux, ai si avokat e kishte ngritur dorën disa herë por që thjesht është injoruar.