Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka inspektuar punimet që janë drejt fundit në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë e cila për shumë vite ishte e pa asfaltuar.
Ai u shpreh se kjo rrugë dhe shumë projekte që janë duke u realizuar, Mitrovicën do e bëjnë qytet më modern, me mjedise shumë më të mira për qytetarët e saj.
“Me vite të tëra, me mijëra mitrovicas kanë jetuar në rrugën “Ali Zeneli”, pa infrastrukturën e nevojshme për jetë të dinjitetshme. Këtë gjendje, rrënjësisht jemi duke e ndryshuar. Jam i bindur që kjo lagje do të bëhet prej ambienteve më moderne, më të rregullta dhe me hapësira gjelbëruese të integruara në peizazhin urban të Mitrovicës” ka shkruar Hamza në Facebook.
Rruga kishte probleme të qarkullimit, pengesa gjatë reshjeve të shiut dhe sfida me ujërat e zeza që paraqisnin problem për banorët e asaj ane.