Me kërkesën për rritje të pagave, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat, të premten do të organizojë një protestë para objektit të komunës së Prishtinës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, të mërkurën ka konfirmuar se vendimi për protestë, është marrë pas takimit me kryetarë të shoqatave sindikale të punëtorëve teknikë të disa shkollave të Prishtinës dhe punëtorëve të Qendrave të Mjekësisë Famlijare (QMF).
Azemi ka theksuar se po kërkojnë rritjen e pagave, ngase sipas tij, paga prej 230 euro për këta punëtorë është e pamjaftueshme.
Ai ka thënë se shpreson që me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, do te gjejnë një gjuhë e përbashkët sa u përket kërkesave të punëtorëve.
“Të gjithë punëtorët e sektorit privat kompanive të cilat janë të kontraktura me komunën e Prishtinës që mbajnë mirëmbajtjen e shumë shkollave ne kemi bërë kërkesë të takohemi me kryetarin që paga e këtyre punëtorëve të rritet dhe kushtet të përmirësohen. Pagat e punëtorëve janë 230 euro, shumë të vogla dhe duhet të njoftojmë komunën se nuk mund të punojmë me këto paga”, ka deklaruar Azemi. /TV Arbëria