Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pula: Njohja nga Siria mund të përbënte jo vetëm një zgjerim diplomatik por edhe pozicionim gjeostrategjik në atë pjesë të globit

Pula: Njohja nga Siria mund të përbënte jo vetëm një zgjerim diplomatik por edhe pozicionim gjeostrategjik në atë pjesë të globit

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka deklaruar për Arberia TV se njohja e Republikës së Kosovës nga Siria do të kishte një ndikim të rëndësishëm në raportet e vendit me shtetet e tjera të botës arabe që ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

Si çdo njohje tjetër që ka rëndësinë e vet në kuptim të forcimit të shtetësisë, njohja nga shteti i Sirisë do të duhej të kishte ndikim tek vendet tjera të botës arabe – të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, p.sh., vende si Tunisi, Iraku apo edhe të tjera vende”, ka deklaruar Pula.

Ai theksoi se kjo njohje përbën një zgjerim diplomatik të rëndësishëm në botën arabe dhe mund të shërbejë si pikë kthese për vendet që deri më tani kanë hezituar.

Kjo njohje, nga Siria, njëherit thyen çdo lloj bariere apo mund të shuaj çdo lloj hezitimi ndaj të tjera vende për t’a njohur Republikën tonë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, deri më tani hezitimet kanë qenë të ndikuara nga shqetësime për integritetin territorial dhe nga ndikimi i Serbisë dhe Rusisë në rajon. Pula ka theksuar se diplomacia kosovare duhet ta shfrytëzojë këtë moment si “argument dhe momentum strategjik” për të shtuar numrin e njohjeve, gjë që do ta fuqizonte subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe do ta lehtësonte anëtarësimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Sa i përket përfitimeve strategjike nga zgjerimi i marrëdhënieve me vendet e Lindjes së Mesme, Pula ka theksuar se “akti i njohjes nga Siria dhe eventualisht krijimi i marrëdhënieve diplomatike do të përbënte jo vetëm një zgjerim diplomatik por edhe pozicionim gjeostrategjik në atë pjesë të globit”.

Ai shtoi se kjo njohje do të mund të shërbente si argument shtesë për vendet e tjera të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën, si në fushën ekonomike ashtu edhe tregtare.

Njohjet tjera të reja nga kjo pjesë e globit do t’i mundësonin Republikës së Kosovës forcim të subjektivitetit të saj jo vetëm si pretendim tek vendet perëndimore por edhe tek ato të lindjes, Azisë e Afrikës, duke u pozicionuar më fortë në aspektin gjeopolitik”, ka theksuar Pula, duke shtuar se këto zhvillime mund të ndihmojnë edhe në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si OKB, INTERPOL apo UNESCO.

Sa i përket aspektit ekonomik, Pula tha se çdo marrëdhënie diplomatike duhet të shfrytëzohet për krijimin e mundësive të reja për investime.

Vendet arabe por jo vetëm, kanë pafund mundësi kreditimi dhe fonde për krijim partneritetesh në projekte të ndryshme qofshin ato infrastrukture apo të tjera. Pra, ne duhet të jemi atraktiv për këto shtete për prurje të investitorëve duke krijuar marrëveshje dy palëshe apo shumëpalëshe”, ka theksuar ai.

Në fund, Shqiprim Pula ka theksuar se pas njohjes nga Siria, “Republika e Kosovës duhet menjëherë të krijojë dhe ofrojë kushte bashkëpunimi në cilëndo sferë që ka interes të përbashkët shtetëror”.