Në fokus të këtij raporti, siç u bë e ditur gjatë prezantimit të tij, janë qasja në informata dhe shërbime kontracepsioni, qasja në abort dhe kujdesi pas abortit, si dhe kujdesi për shëndetin e nënës.
Ndërsa, të dhënat janë marrë kryesisht nga gratë dhe vajzat qe kanë kryer shërbime në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, por edhe nga ofruesit e këtyre shërbimeve.
Me këtë rast, Avokati i Popullit Naim Qelaj, tha se ky raport është shumë i rëndësishëm pasi që mungon qasja e duhur në shëndetin riprodhues dhe se shpesh kjo temë paragjykohet në shoqërinë tonë.
“Me thënë të drejtën, nuk e kam ditur rëndësinë e kësaj teme. Për Avokatin e Popullit, ky raport ka qenë shumë i rëndësishëm. Ka shumë të gjetura, të cilat pa këtë raport nuk do t’i kishim konstatuar”.
“Çka vërehet në shoqërinë tone është se nuk ka një qasje të duhur në shëndetin prodhues që është parë edhe në parlament por edhe në debate të tjera publike. U pa se ka paragjykime dhe kjo çështje është ende tabu.”
“Të gjeturat kanë treguar më se miri edhe për detyrën qe kemi si shoqëri për ta trajtuar këtë temë”, ka thënë tutje Qelaj.
Ndërsa, Dafina Gexha-Bunjaku, zëvendësministre e Shëndetësisë, tha se tashmë është formuar grupi punues për adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve të raportit.
“Sikurse te raporti i vitit 2016, edhe ky raport ka treguar se të drejtat në shëndetin seksual janë ende të ndërlidhura me aspektin socio-ekonomik e kulturor të vendit tonë”.
“Ministria e Shëndetësisë e ka formuar tashmë edhe grupin punues për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet”.
Tutje, Gexha-Bunjaku tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar në përmirësimin e situatës për shëndetin seksual dhe riprodhues.
“Si institucion jemi të përkushtuar që ta përmirësojmë situatën dhe kushtet për shëndetin seksual dhe riprodhues. Nëpërmjet Kuvendit po synojmë që të qartësohen edhe të drejtat e grave”.
Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, tha se ajo çka e bën raportin edhe më të vecantë, është se ai bazohet në eksperiencën e atyre që marrin këto shërbime por edhe të atyre që i kryejnë po të njëjtat.
“Besojmë që do të ndihmojë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve shëndetësore. Ky raport vjen mes një bashkëpunimi të ngushtë mes Avokatit të Popullit dhe UNFPA-së”.
“Është shumë i rëndësishëm sepse te dhënat janë marrë direkt nga vajzat dhe gratë qe kane marrë shërbime në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, por edhe nga ofruesit e këtyre shërbimeve. Vetëm duke i marrë të dhënat nga të dyja palët mund të kemi një pasqyrë të qartë”.
“Këto të drejta janë të drejta të mbrojtura edhe me Kushtetutë. UNFPA do ta vazhdojë përkrahjen e saj për tu siguruar qe asnjë vajze, grua, djalë apo burrë të mos privohet nga e drejta për shërbime të këtij lloji”.
Ndërsa, siç tha ajo shumë prej rekomandimeve mund të realizohen pa asnjë kosto.
“Shumë rekomandime qe janë dhëne mund të jepen pa asnjë cent, siç është komunikimi më i mirë dhe ruajtja e konfidicalitetit”.
E Majlinda Sinani Lulaj, zëvendëse e Avokatit të Popullit, e cila prezantoi raportin tha se vëmendje e veçantë u është kushtuar grupeve të cenueshme të popullsisë.
“Burim primar kanë qenë dëshmitë e vajzave dhe grave, por edhe organizatat joqeveritare. Vëmendje e veçantë i është kushtuar grupeve të veçanta, të cenueshme të popullsisë, si minoriteteve dhe atyre me kushte të rënda ekonomike”.
/TV Arbëria