Një aksident ia ka marrë jetën mbrëmë një të riu në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, saktësisht në fshatin Pestovë të Vushtrrisë. Si fillim nga ky aksident u raportua për të lënduar, por si shkak i lëndimeve të rënda personi në fjalë nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve.
Viktima në këtë rast është një 21 vjeçar. Ai ka ndërruar jetë në QKUK ku u dërgua për trajtim pas lëndimeve të pësuara në aksident, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Me datë 06.11.2024 rreth orës 22:00, policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në f.sh. Pestovë të Vushtrrisë ka ndodhur një aksident me lëndime te rënda në të cilin ishte përfshirë një automjet me targa vendore.
Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, mirëpo rreth orës 00:40 të datës 07.11.2024 policia është njoftuar nga emergjenca e QKUK-së, se si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, personi i lënduar i moshës 21 vjeçare ka humbur jetën.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër te tij trupi i pa-jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Ndërkohë në media janë publikuar pamjet nga aksidenti i rëndë, ku vetura në të cilën ndodhej 21 vjeçari duket gati plotësisht e shkatërruar.