Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, PSHDK Dega në Bern, përmes një reagimi të publikuar nga Augustin Grabanica, ka bërë thirrje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kërkimin e drejtësisë.
Në reagim thuhet se mënyra se si ka vepruar Gjykata Speciale, sipas autorëve të deklaratës, lidhet edhe me zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë gjatë viteve të fundit.
“Ne e kundërshtojmë kategorikisht vendimin e Gjykatës Speciale”, thuhet në reagim, duke u bërë thirrje familjarëve dhe qytetarëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe ta kundërshtojnë vendimin përmes mjeteve ligjore dhe demokratike.
PSHDK Dega në Bern thekson gjithashtu se është kundër çdo forme të dhunës dhe kërkon që procesi të vazhdojë përmes rrugëve institucionale dhe procedurave të apelit. Ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar tashmë se do ta apelojnë aktgjykimin.
Në reagim kritikohet edhe ajo që PSHDK e quan “frymë antiamerikane” në Kosovë, duke theksuar se raportet me Shtetet e Bashkuara janë historike dhe të rëndësishme për Kosovën.
“Populli shqiptar i Kosovës është ndër popujt më proamerikanë në botë. Miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është historike dhe e pazëvendësueshme”, thuhet në deklaratë.
Në fund, PSHDK Dega në Bern i bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë që, sipas tyre, të mbështesin kërkesat për drejtësi, transparencë dhe trajtim të paanshëm të çështjes.