Modeste M’Bami ka ndërruar jetë dhe është larguar nga kjo botë në moshën 40 vjeçare.
Ish-mesfushori kamerunas ka pësuar një atak kardiak dhe nuk ka mundur t’i mbijetoj sulmit duke ndërruar jetë në qytetin Le Havre në Francë ku jetonte ai me familjen e tij.
Ish-mesfushori i PSG dhe Marseille zhvilloi 228 ndeshje zyrtare në Ligue 1, derisa shënoi dy gola edhe asistoi në pesë të tjerë.
M’Bami ka qenë shok skuadre me kapitenin legjendar të Shqipërisë, Lorik Canën si në PSG ashtu edhe në Marseille.
Ish-mbrojtësi gjakovar menjëherë ka reaguar për vdekjen e kamerunasit: “Kaq shumë beteja së bashku. Pusho në paqe Modeste”, ka shkruar Cana.
Ndërkohë telegram ngushëllimi për familjen kanë nisur edhe dy gjigantët francezë PSG dhe Olympique Marseille.
Por të shokuar kanë mbetur edhe në Kamerun, pasi M’Bami ka qenë pjesë e Kombëtares për nëntë vite radhazi, nga 2000 deri më 2009.
Ai kishte luajtur 36 ndeshje me Kamerunin, ku kishte shënuar tre gola e ka asistuar në një tjetër. /TV Arbëria