Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë dy ditëve të fundit Kosova u trondit nga dy vrasje. Fillimisht në qytetin e Vushtrrisë një 19 vjeçar, e qëlloi me armë zjarri një bashkëmoshatar të tij, ku si pasojë e plagëve të marra, u shua jeta një të riu. Pa u tharë mirë gjaku i kësaj fatkeqësie, po a ashtu, në të njëjtin qytet, opinioni u tmerrua nga një vrasje tjetër e dyfishtë.
Sipas burimeve të TV. Arbërisë në rastin e parë e tërë zënka kishte filluar për shkak të një vajze. Një shoqe e viktimës, në kushte anonimiteti ka treguar për tensionet e kahershme që kanë ekzistuar në mes A. Z dhe B.D, për një vajzë. Pra e tërë ngjarja mund të cilësohet si një krim nga pasioni dhe e motivuar nga kapriçiot e çastit.
Ndërkaq, në rastin e dytë, sipas raportit fillestar të Policisë së Kosovës, dyshohet, se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas e ka qëlluar edhe vetën. Ndërkohë, siç kanë deklaruar të afërm të viktimës, dyshohet, se motivet e kësaj ngjarje makabre kanë të bëjnë më xhelozinë, për shkak të ndërrimit të vendit të punës nga viktima.
Pikërisht, natyra e këtyre vrasjeve ndonëse e nxitur nga motive të ndryshme, megjithatë e manifeston frymën tjetërsuese shoqërore që e ka kapluar tash e sa kohë shoqërinë tonë. Dhe është shprehje e një krize morale, edukuese dhe shoqërore. I pari ka të bëjë nën e emrin e një koncepti të rrejshëm të dashurisë. Sepse kjo e fundit nuk është zotërim i momentit, por përkujdesje afatgjatë. Mirëpo, keqedukimi për ta përjetuar këtë të fundit vetëm si zotërim personal dhe asgjë tjetër mund të shndërrohet në burim tragjedive të tilla. Sepse, siç ka shkruar shumë kohë më parë Hegeli, me anë të kësaj ndjenje “njëra vetëdije nëpërmjet tjetrës arrin përsëri te vetvetja, esenca e së cilës ishte njohja”. Kurse, Erich Fromm, në librin e tij “Të Kesh apo të Jesh”, tregon se si dashuria nga parim i qenies, mund të shndërrohet në mjet të posedimit, si pasojë e një substrati psiko-seocial që e ushqen këtë frymë. Prandaj, në vend se të jetë një forcë e ngritjes dhe zhvillimit, ajo shndërrohet në burim të rënies dhe dramave personale dhe shpirtërore. Dhe është pikërisht, tjetërsimi i rinisë sonë nga këto standarde psikologjike, morale dhe filozofike që po i ndodh dita ditës, për shkak të përdorimit masiv të rrjeteve sociale, dështimit të shkollës e familjes, ku ekspozohet hapur kultura e dhunës e destrukutivtetit dhe mitit të suksesit imediat, që po i stimulon këto anomali sociale.
Natyrisht, me këtë nuk them se edhe në vende shumë më të avancuara nuk ndodhin akte të tilla. Por dallimi është se në atë botë investohet më të madhe në aspektin kulturor, psikologjik e artistik që të punohet të minimizohen këto pasoja. Të kuptohen shtytjet e brendshme të këtij brezi. Shembull konkret i këtij investimi është edhe seriali i fundit filmik Adolescence, të cilin do ta analizoj në një shkrim tjetër. Kurse te ne ato trajtohen vetëm në nivelin e lajmeve ditore. Dhe të nesmren “harrohen” thuajse nuk ka ndodhur asgjë.
Por e njëjta mendësi, ndonëse në trajtë tjetër, e shoqëron edhe vrasjen e dyfishtë në Vushtrri. Ajo tregon për një pronar që nuk është në gjendje t’ia njoh dinjitetin dhe autonominë personale një ish-punëtore të tij. Se ajo, sipas këtij mentaliteti anakronik, nuk ka të drejtë sot të jetë në një marrëdhënie pune në një kompani, por që nesër sipas parimeve të ekonomisë së tregut dhe në përputhje me dëshirat e saj, mund ta kërkojë pa asnjë hezitim perspektiven e saj kudo që mund ta gjejë atë. Pra ai nuk mund të pajtohet më faktin se ajo nuk është rob i tij dhe se nuk mund ta trajtojë atë ashtu sikur pjesën tjetër të makinerisë prodhuese. Kjo mendësi madje e pasqyron keq perceptimin që ende sot e kësaj dite dominon në shoqërinë tonë edhe për punën. Ku kjo e fundit nuk vlerësohet dhe afirmohet edhe si medium në saj të cilës një qenie njerëzore arrin gradualisht e me shumë peripeci ta zotërojë vetëdijen për veten, ku më në fund të dy palët e pranojnë njëri-tjetrin si të barabartë, por si mjet për ta mbajtur tjetrin, zakonisht në rastin tonë gratë, nën tutelen e përjetshme të shtypjes, dominimit dhe manipulimit.
Prandaj, kombinimi i këtij mentaliteti paternalist tradicional me kushtet e një rendi jo demokratik kapitalist, nën ndikimin e përdorimit masiv të rrjeteve sociale, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në burim të krizës sonë shoqërore dhe morale, dhe që raste sikur këto të fundit, të bëhen gjithnjë e më “normale”. /TV Arbëria