Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse Vetëvendosja po kërkon pushtet edhe më të madh në mandatin e ardhshëm?

Pse Vetëvendosja po kërkon pushtet edhe më të madh në mandatin e ardhshëm?

Shkruan: Afrim Kasolli

Është e natyrshme që partitë politike të luftojnë për ta marr pushtetin. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta realizojnë programin, qëllimet dhe interesat e atyre që i përfaqësojnë. Në këtë drejtim nuk bëjnë përjashtim as partitë tona politike. Mirëpo, shtrohet pyetja pas katër vite të qeverisjes, cilat janë disa nga arsyet madhore që partia në pushtet, por kërkon që votohet edhe më shumë nga qytetarët e Kosovës, dhe ata që jetojnë dhe veprojnë në diasporë se sa mbështetja e deritanishme.

Lëvizja Vetëvendosje është partia që në historinë e sistemit politik në Kosovë prej së është instaluar demokracia ka gëzuar më së shumti pushtet dhe mbështetje qytetare gjatë këtij mandati. Asnjë parti para saj nuk e kishte këtë fuqi politike. Dhe vështirë që ndonjë tjetër do të mund ta sigurojë këtë përkrahje masive edhe në të ardhmen. Ndonëse politika është një fushë e hapur e forcave antagoniste shoqërore. Prandaj, nuk përjashtohet kjo mundësi.

Mirëpo, janë simptomatike disa nga arsyet që po i shfaqin zyrtarë të pushtetit dhe mbështetës të tij se pse kjo parti politike duhet të rilegjitimohet në mënyrë plebishitare në zgjedhjet e 9 shkurtit. Shumë prej premtimeve që kjo parti politike i kishte bërë sa ishte në opozitë, nuk ka pasur asnjë pengesë nga opozita e sotme dhe nga askush tjetër për t’i realizuar. Lista e tyre është e gjatë, që nga banesat sociale, çerdhet, sigurimet shëndetësore etj etj. Për më shumë, asnjë nga përfaqësuesit e partisë në pushtet nuk kanë ofruar një argument të qëndrueshëm pse duhet të ketë mirëkuptim shoqëria për këtë dështim. Pra evidentimi i një shkaku që ndryshe quhet si “vis major” ku forca jashtë kontrollit politik, shoqëror dhe institucional në mënyrë krejtësisht të paparashikueshme e ndërrojnë kahen e ngjarjeve. Dhe atëherë menaxhimi i pasojave të tyre imponohet si detyrë imediate.

Kështu, në mungesë si të rrethanave të tilla ashtu edhe të dështimit për t’i jetësuar premtimet e dhëna, eksponentë të pushtetit dhe mbështetës të tij, strategjikisht po tentojnë ta zhvendosin theksin në drejtime krejt tjera më qëllim që shmangin ballafaqimin përfundimtar me opinionin publik.

Ministrja e punëve të jashtme para pak dite në një tubim në diasporë deklaroi se mbështetja ndaj këtij pushteti duhet të jetë edhe me madhe duke marrë parasysh energjinë negative që ka ekzistuar nga opozita dhe mediat kundër tij. Me një fjalë, qytetarët e Kosovës duhet të votojnë përafërsisht 95% për Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë që të mos mbetet askush për ta kundërshtuar hapur atë. Dhe jeta parlamentare të shndërrohet në simlum të demokracisë, disi sikur modeli që sot dominon në Dumën Ruse

Po ashtu, në vend të reflektimit dhe korrigjimit mbi tendencat anti-kushtetuese të reformës së proklamuar në drejtësi, pushteti kërkon margjinalizim të plotë të rolit të opozitës në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë askush për t’i adresuar projektligjet e tyre në Gjykatën Kushtetuese, sepse siç dihet te në ky institucion aktivizohet vetëm nëse dikush adreson çështje para tij. Dhe po ashtu adresimi i lëndëve bëhet sipas procedurave specifik. Dihet nga të gjithë ne se si kishte dështuar dërgimi i lëndës së presidentes për mosveprimin e saj në emërimin e Kryeprokurorit të shtetit, pasi LDK e sabotoi në momentet e fundit këtë iniciativë të pjesës tjetër te opozitës. Në anën tjetër këtu duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër. Edhe pak kohë u skadon mandati dy gjyqtareve. Kurse pas tri viteve edhe 3 të tjerë. Prandaj, me një shumicë edhe më madhe se sa që e ka sot, Vetëvendosja nuk do ta kishte problem që në këtë institucion ta shndërronte në agjent partiak, duke i dërguar 5 anëtarë mbështetës të saj. Kështu nga 9 sa janë gjithsej 5 do të ishin dërguarit e kësaj partie, pra shumica e këtij trupi vendimmarrës. Me një fjalë në këtë mënyrë do të eliminohej ideo pengesë juridike për shkeljet e mundshme kushtetuese në mandatin tjetër qeverisës. Një praktikë kjo e që ka instaluar kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Kurse retorika për “çlirimin” e veriut tashmë është e njohur. Mirëpo, që nga fitorja e kandidatit republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA-, mbështetës të Albin Kurtit janë duke sajuar edhe një argument tjetër se pse duhet të votohet në mënyrë plebishitare ky i fundit në zgjedhjet parlamentare që po afrohen.

Sipas tyre vetëm në saje të një solidariteti masiv politik rreth drejtuesit të Vetëvendosjes mund ruhet “integriteti territorial dhe e ardhmja jonë si komb”. Sepse kjo mbështetje do të mund të shërbente si mjet për të frenuar kaosin që po na pret për shkak të “fundit të demokracisë liberale në Amerikë” duke qenë se “Rihyrja e Trampit në Shtëpinë e Bardhë shton pasigurinë në Evropë, ku Rusia dhe aleatët e saj shpresojnë që kursi i deritanishëm amerikan të ndryshojë në favorin e tyre”.

Janë këto disa nga arsyet që sot Lëvizja Vetëvendosje po kërkon ta sigurojë edhe një pushtet më të madh se sa ky aktual. Të ketë një qetësi shpirtërore nga “energjia negative opozitare” të pezullohet çdo kontroll i mundshëm kushtetues dhe juridik ndaj qeverisjes së saj, si dhe te jetë sa më e fortë në rezistencë dhe ballafaqim ndaj Shtëpisë së Bardhë te drejtuar nga Donald Trump. /tvarbëria/

Themes by WordPress