Shkruan: Afrim Kasolli
Takimi i djeshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, u veçua edhe për relativizmin cinik që në konferencën për shtyp kryeministri i Kosovës i bëri shqetësimeve mbi ndryshimin e ligjit për gjuhët, ku mund të preket statusi i tanishëm i gjuhës shqipe në atë shtet. Me një fjalor “ektra-juridike” ai thjesht pohoi “se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.
Mirëpo, përtej këtij fakti, raportet e tij të ngrohta me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, që vjen nga partia VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, janë në kundërshtim edhe me projeksionet që ai dikur i proklamonte për një aleancë të re ballkanike kundër synimeve hegjemonike serbe në rajon.
Fillimisht të gjitha hulumtimet e opinionit publik në atë shtet kanë treguar se njëri nga impulset kryesore për sukses elektoral të VMRO-DPMNE, ka qenë manipulimi me sentimentet se frikës së qytetarëve maqedonas se identiteti i tyre ndodhet në rrezik, si nga Bullgaria ashtu edhe nga shqiptarët. Në rastin e parë se nuk do t’i nënshtrohet kërkesës së Sofjes për ndryshime kushtetuese ku edhe etnia bullgare do të shndërrohej në kategori kushtetuese, dhe në rastin e dytë nga pushteti i madh që kishin fituar shqiptarët, deri sa qeverinë e drejtonte partia e tanishme opozitare LSDM nga kampi maqedonas si dhe BDI nga ai shqiptar.
Operimi me ankthe të tilla për përftime politike nuk është diçka e re në histori. Janë të njohura rastet, kur zhvendosjet demografike, politike dhe sociale kanë prodhuar pakënaqësi (imagjinare ose reale), si dhe tensione politike.
Studiuesi i politikës krahasuese Donald Horowitz, ka argumentuar se kur një shumicë e ka ndjenjën se po shndërrohet në pakicë , atëherë ajo pushtohet nga një ankth politik identitar. Me këtë rast, pjesëtarët e saj kaplohen nga frika se po vendosen nën një rrethim dhe nën dominimin e të huajve. Në rastin e maqedonaseve, pra siç u cek nga shqiptarët dhe bullgarët. Dhe janë këto presione psikologjike që partia në pushtet VMRO-DPMNE i ka shpërdoruar si instrument për përfitime të brendshme politike.
Po ashtu, nuk është i rastësishëm as afrimi i saj gjithnjë me shumë me Serbinë, duke e trajtuar këtë fundit si patron të duhur gjeopolitik për të siguruar satisfaksion për këto frustrime. Madje nuk është as befasi që edhe që rritja e popullaritet të kësaj partie ka shkuar paralelisht rritjen e disponimit publik për Serbinë. Sipas të dhënave të botuara më herët nga Institutit Ndërkombëtar Republikan për Ballkanin Perëndimor, Serbia sot shihet nga shumica e banorëve të Maqedonisë së Veriut, si aleati kryesor i tyre. Kurse për të parën një rol të tillë e luan Rusia. Pra shihet qartë se Maqedonia e Veriut me VMRO-DPMNE e sotme ka lëvizur gjithnjë e më tepër drejt një vëllazërie politike me Serbinë dhe largimit nga Bullgaria dhe Shqipëria.
Dhe është ky realitet që nxjerr në pah hipokrizinë politike të shefit të Qeverisë së Kosovës. Sepse ishte vetë Albin Kurti, që në një intervistë për TV1 në Sarajevë kishte deklaruar “Serbia e ka në grusht opozitën në Maqedoni”. Pra fjala është për të njëjtën parti që atëbotë ishte në opozitë edhe sot në pushtet, e të cilën kryeministri Kurti e pret krahëhapur në Prishtinë dhe e takon në Shkup.
Në këtë kontekst, sot asgjë nuk është më shumë në kundërshtim me atë skemë gjeopolitike rajonale për një bashkëpunim kras vendeve tjera edhe me bullgarët, për ta frenuar “Botën Serbe”, se sa aleanca e Albin Kurtit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, që po e kërkon shpëtimin të Serbia kundër Bullgarisë./tvarbëria/