Shkruan: Agron Hoti
Duke qenë se fushata zgjedhore e partive politike tashmë është zhvendosur në diasporë për shkak se shumica e rinisë tanimë ka braktisur vendin, atëherë nga tash e tutje do të na duhen nga dy qeveri, kjo sepse është rritur puna shumë, ndaj edhe na duhet:
1. Një qeveri që zgjidhet nga diaspora dhe që i jep llogari diasporës – kjo qeveri do të ishte marrë kryesisht me telashe diasporeske si shvarcarbajti për pare t’urllaubit n’Velipojë, ofentalli, kyniguni, ferziherungi, arbajtshllosi, socialli pa kurrfarë çuliguni, dyneri te turku, mbrëmjet dhe klubet shqiptare, sigurimi i turshisë dhe suxhukëve sa për nom dhe xehër të djegëst, kush ka fellne e shibedak më të mirë pllus taçskrinin e GL-it më të madh, menaxhimi i duetit Gazi-Meda si dhe aktivitete të ngjashme që e përparojnë diasporën tonë;
2. Një qeveri që zgjidhet brenda Kosovës dhe që u jep llogari atyre që jetojnë në Kosovë kryesisht duke ua trokolitur pleqëve dhe pensionerëve, sepse rini s’ka më, duke bërë ngapak izaret (zahiret) se shpirt po bartim të gjithë, për ta luftuar ngapak kapsllëkun dhe hemorroidet se pleq krejt, për ta mbaruar ndonjë dom të pleqëve nëpër komuna se nevojat e mëdha, për të marrë pjesë ngapak nëpër deka më shumë e rrallë nëpër dasma, n’qëlloftë ndonjë syneti n’paçin kujt mirë boll, për t’ia dhënë nga një rraptimë fjalësh të thata nëpër kombajna dhe nga një rend meselesh kungji nëpër oda si dhe duke ia përmend popullit karrabishtin si gjenezë të njeriut, e shumë e shumë gjëra të ngjashme që e çojnë vendin veç përpara.
E kur do t’i kishim bërë nga dy qeveri të tilla, secili do të ishte marrë me amele (telashe) të veta dhe kështu përpos që do të kishim përparuar sa bota të na marrë lakmi, do të ishim që të gjithë të kënaqur: diaspora po, Kosova po, Serbia po, Rusia po, thjeshtë xhymrysh e kishim ba duke hyrë për dere e dalë për dritare nga BE, NATO e OKB…