Suedia do të angazhojë avionë luftarakë Gripen dhe një anije luftarake për të ndihmuar në mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e territorit të Finlandës, të paktën deri në fund të vitit 2026.
Lajmi u bë i ditur të premten nga Forcat e Mbrojtjes së Finlandës, raporton Reuters.
Sipas ushtrisë finlandeze, pajisjet ushtarake suedeze do të forcojnë veçanërisht mbikëqyrjen e hapësirës ajrore, duke u dhënë forcave finlandeze më shumë mundësi për t’u përballur me shkelje të mundshme të territorit dhe incidente të tjera.
Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, tha se Suedia iu përgjigj kërkesës së Finlandës për forcimin e mbrojtjes ajrore, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë.
“Forcat e armatosura suedeze mund të ndihmojnë Finlandën, nëse është e nevojshme, për të zmbrapsur shkeljet e territorit finlandez”, tha Jonson për Reuters.
Përveç avionëve luftarakë Gripen dhe anijeve të pajisura për përballimin e dronëve, Suedia mund të dërgojë edhe sisteme tokësore kundër dronëve.
Suedia dhe Finlanda, të dyja anëtare të NATO-s, kanë një bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjes. Finlanda ndan një kufi prej rreth 1.340 kilometrash me Rusinë.
Në muajt e fundit, dronët ushtarakë që kanë hyrë në hapësirën ajrore të Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë kanë rritur shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të përhapet edhe në kufijtë veriorë të NATO-s me Rusinë.
Ndërsa Ukraina ka shtuar sulmet ndaj porteve ruse në Detin Baltik, disa dronë kanë devijuar nga objektivat e tyre, duke shkaktuar paralajmërime për sigurinë në vendet fqinje.
Ndërkohë, kompania suedeze SAAB, prodhuesja e avionëve Gripen, njoftoi të premten se ka fituar një kontratë prej 1.2 miliardë koronash suedeze, rreth 126 milionë dollarë, nga Finlanda për sistemin portativ të mbrojtjes ajrore RBS 70 NG.