Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Pse s’kemi opozitë të fuqishme? E vërteta që s’po thuhet

Pse s’kemi opozitë të fuqishme? E vërteta që s’po thuhet

 

Shkruan: Agron Hoti

Nuk është fare sekret që nga pamundësia e zgjidhjes së problemit me Serbi si dhe mes antagonizmit të Krahut të Luftës dhe atij Pacifist ka ardhur Albin Kurti në pushtet. Ky antagonizëm vazhdon edhe sot (edhe pse më zbehur) ashtu siç vazhdon moszgjidhja e problemit me Serbi.

Krahu i Luftës e pranon Albin Kurtin edhe 100 vite në pushtet me kushtin e vetëm që Krahu Pacifist të mos rikthehet në pushtet. Edhe Krahu Pacifist e pranon Albin Kurtin edhe 100 vite në pushtet me kushtin e vetëm që Krahu i Luftës të mos rikthehet në pushtet.
Prandaj, s’ka veprime të përbashkëta opozitareske, sepse ekziston frika që, në rast të një opozitarizmi agresiv të përbashkët, njëri krah (ai i Luftës apo ai Pacifist) do të mund t’i merrte të gjitha meritat për t’u rikthyer në pushtet. E kjo frikë është e bazuar, sepse të gjithëve iu kujtohet, kur VV – duke u shitur para popullit se s’po ia donte pushtetin dhe karrigën – i merrte të gjitha meritat opozitareske ndaj edhe shënonte vazhdimisht rritje, sidomos më intensivisht nga viti 2014 deri në 2019.

Pra, duke qenë se Krahu i Luftës dhe ai Pacifist e përjashtojnë njëri tjetrin për të qenë drejtues pushteti, atëherë kompromisi i zorit vazhdon të jetë është Albin Kurti. E ky i fundit, i vetëdijshëm për këtë antagonizmin mes Krahut të Luftës dhe atij Pacifist, moszgjidhjen e problemit me Serbi vazhdon ta shfrytëzojë për të ngelur në pushtet sa më gjatë që të jetë e mundur.

E sa më shumë që po shtyhet zgjidhja e problemit me Serbi, humbëse në secilin variant po del të jetë Kosova. Izolimi ndërkombëtar dhe sanksionet perëndimore ndaj Kosovës janë argumenti më bindës për rrezikun e tejzgjatjes së problemit me Serbi. Mungesa e investimeve, tensionet në veri, papunësia e lartë, rritja e çmimeve dhe përçarjet e thella politike e sociale po e nxisin rininë dhe profesionistët të ikin me të madhe nga Kosova.

Powered by WordPress