Shkruan: Agron Hoti – Para se të filloj këtë shkrim do ta bëj të qartë se jam absolutisht për një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqe të përhershme mes Palestinës dhe Izraelit. Por, jam tërësisht kundër keqpërdorimit të fesë për interesa politike e aq më tepër kundër terrorizmit si mjet për të arritur qëllime politike qoftë edhe duke e keqpërdorur fenë.
Askush në glob nuk e keqpërdor më shumë fenë për interesa të pista politike sesa Rusia me disa nga satelitëtt e saj ortodoksë në Evropë, pastaj Vendet Arabe, Irani, Turqia dhe tërë Azia Qendrore. Pasojat e këtij keqpërdorimi brutal të fesë për interesa politike të vendeve të lartëpërmendura po i vërejmë edhe në Kosovë sidomos që nga viti 2000 e deri me sot. As Shqipëria nuk është më mirë në këtë drejtim, ndërkohë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë më së keqi.
Buka para fesë
Bot ka sot afro 2 miliardë muslimanë dhe mbi 2.5 miliardë të krishterë. Sikur vërtetë të kishte pasur vëllazërira fetare, historia e njerëzimit s’do të njihte, ose s’do të duhej të kishte njohur kurrë luftëra të tmerrshme mes vetë muslimanëve dhe të krishterëve, sepse vëllau nuk do të duhej ta vriste të vëllanë, logjika është shumë e thjeshtë.
Nëse e shikojmë nga aspekti fetar lufta e Perëndimit kundër Rusisë në Ukrainë është luftë mes të krishterëve. Dhe po të kishte pasur vëllazëri fetare, kjo luftë fare nuk do të duhej të kishte ndodhur. Irani musliman kishte luftuar dhe vazhdon të luftojë kundër arabëve që janë muslimanë. Turqia bashkë me Vendet Arabe dhe Iranin terrorizojnë kurdët po ashtu muslimanë. Palestina muslimane përkrah hapur Serbinë që ka bërë terror e gjenocid mbi shqiptarët me shumicë muslimane ashtu siç përkrah Rusinë që po bën terror në Ukrainë. Nëse e shikojmë botën nga prizmi i vëllazërisë së imagjinuar fetare, atëherë në luftën çlirimtare të Kosovës Perëndimi i krishterë do të duhej t’i mbante anën Serbisë së krishtere e jo Kosovës me shumicë muslimane.
E vërteta është kjo: botën e drejtojnë interesat ekonomike dhe të gjitha përpjekjet tjera shkojnë në këtë funksion, sepse kur s’ke bukë për të ngrënë, gjëja e parë që të bie ndërmend është se si ta mbushësh barkun me ushqim e pastaj vjen feja, politika, kultura, arti, etj. Kur s’ke bukë për të ngrënë s’të ndihmon gjë feja dhe asgjë tjetër. Kështu ka qenë dhe do të jetë për aq sa do të ekzistojë vetë njerëzimi.
Interesat s’janë fetare
Nëse çështjen e shohim nga prizmi i fesë, atëherë përafrimi i viteve të fundit i Vendeve Arabe muslimane dhe Turqisë muslimane me Izraelin hebre po ia prishte planet e Iranit musliman për ta shtrirë ndikimin në botën arabe dhe tërë Lindjen e Mesme. Një përafrim i tillë po i prishte punë më së shumti Rusisë, e cila përmes Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore synon të dalë në ujërat e ngrohta të Oqeanit Indian, diçka që SHBA nuk do ta lejojë në asnjë mënyrë.
Për ta prishur përafrimin turko-arabo-izraelit, Irani së fundmi përmes Hamasit hodhi bombat në Izrael duke e keqpërdorur Palestinën me qëllim që Turqia dhe Vendet Arabe shkaku i Palestinës të bëheshin sa më armiqësore kundrejt Izraelit. Çfarëdo përafrimi turko-arabo-izraelit, Irani e sheh si përforcim i amerikanizmit dhe rrjedhimisht si kërcënim të sigurisë kombëtare. Pra, një përafrim turko-arabo-izraelit është interes i SHBA-së për ta zvogëluar ndikimin e Iranit në Lindje të Mesme dhe me këtë edhe të Rusisë. Ndërkohë, nëse çështjen e shikojmë nga prizmi i fesë, atëherë Palestina muslimane është hapur pro-Rusisë e Serbisë (të dyjat këto të fundit të krishtera), ndërsa kundër Kosovës me shumicë muslimane.
Të njëjtat bomba shkatërrimi aleancash dhe pengim zhvillimi demokratik Irani i përdor në tërë Lindjen e Mesme përmes Hezbollahut në Liban, përmes Asadit në Siri, shiitëve në Irak, Houthistëve në Jemen si dhe përmes kërcënimit të hapur ndaj Izraelit. Ndërkohë që Arabia Saudite bashkë me të gjitha Vendet Arabe po afrohej me Izraelin, në mënyrë që Izraeli t’i mundësojë (Arabisë Saudite) blerje të armatimit amerikan për t’i luftuar forcat pro-iranianiane (pra muslimane) në Jemen që po e kërcënojnë Arabinë Saudite po ashtu muslimane. Arabia Saudite muslimane më armik e konsideron Iranin musliman sesa Izraelin hebre. Edhe Izraeli, më armik e konsideron Iranin sesa Vendet Arabe.
Turqia muslimane më armik e konsideron Iranin musliman sesa Izraelin hebre. Azerbajxhani musliman më armik e konsideron Iranin musliman sesa Izraelin hebre. Fitorja e Azerbajxhanit në Nagorno Karabah gëzon mbështetje të plotë të Turqisë muslimane, ndërsa aspak të Iranit po ashtu musliman. Turqia muslimane mbështet Azerbajxhanin musliman, kurse Irani musliman mbështet Armeninë krishtere në linjë me Rusinë krishtere. Perëndimi krishter e mbështet Azerbajxhanin musliman siç e mbështet Kosovën dhe Shqipërinë me shumicë muslimane.
Ndërkohë, sikur Turqisë, Vendeve Arabe dhe Iranit vërtetë t’iu dhimbsej aq shumë Palestina shkaku i i ndonjë vëllazërie muslimane, atëherë ato do të duhej që para se gjithash ta lejonin formimin e shtetit kurd po aq musliman sa Turqia, Vendet Arabe dhe Irani. Nëse çështjen e shikojmë nga prizmi i fesë Turqia, Irani dhe Vendet Arabe dhe pse jo tërë bota muslimane do të duhej ta dënonin Kinën për gjenocidin që edhe sot po ua bën turqve ujgurë. Ndërkohë, Turqia shumë më të mira i ka raportet me BE-në e krishterë, sesa me Vendet Arabe dhe Iranin që të gjithë muslimanë. Po ashtu Turqia muslimane ka raporte të shkëlqyeshme me Kinën që po ia gjenocidon minoritetin turk atje (turqit ujgurë). Indonezia, si vendi më i madh musliman në botë, shumë më të mira i ka raportet me Perëndimin sesa me botën muslimane. Pakistani musliman shumë më të mira i ka raportet me Kinën sesa me të gjitha vendet tjera muslimane në glob.
Makro-pasqyra e orientimeve të mëdha
Të gjitha Vendet Arabe bashkë Iranin dhe Azinë Qendrore për shkak të afërsisë gjeografike janë vazhdimisht në raporte të mira me Rusi. Dhe çuditërisht shumë më mirë i kanë raportet me Rusi vendet muslimane sesa mes vete. Rusia e keqpërdor tërë Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore duke e nxitur Iranin që ta ulë ndikimin amerikan në këto rajone të nxehta. Palestina është kurbani që keqpërdoret nga Irani për të nxitur antiamerikanizëm. Turqia e keqpërdor Palestinën për ta ulur ndikimin e Iranit në Lindje të Mesme si dhe për ta fituar përkrahjen e Vendeve Arabe, marrë parasysh nevojën ekonomisë eksploduese turke për tregje të reja. Egjipiti dhe Arabia Saudite në raporte të mira me SHBA e keqpërdorin Palestinën për ta marrë bajrakun në Lindje të Mesme vetëm e vetëm për ta rivalizuar Turqinë dhe Iranin. Pra, të gjithë e keqpërdorin Palestinën duke e nxitur kundër Izraelit.
Ndërkohë SHBA duke qenë Superfuqia e vetme në glob është i vetmi shtet që ka qasje globale ndaj problemeve të ndryshme, ndaj edhe e ka jetike parandalimin e çfarëdo aleance mes Rusisë dhe Evropës, mes Rusisë me Vendeve Arabe dhe Iranit, mes Rusisë dhe Kinës, mes Rusisë dhe Indisë, si dhe mes Kinës e Japonisë.
Lufta e SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore parandaloi një aleancë mes gjermanëve dhe japonezëve, ngase këto të fundit po synonin ta ndanin Euroazinë në një Perandori gjermano-japoneze dhe kjo do ta parandalonte SHBA-në dhe çdokë tjetër që të bëhej Superfuqi. Lufta e SHBA-së kundër terrorizmit 2001-2021 parandaloi aleancën mes Rusisë, Vendeve Arabe dhe Azisë Qendrore. Lufta e SHBA-së në Vietnam parandaloi një aleancë mes Kinës dhe Azisë Juglindore që synonte gllabërimin e tërë Pacifikut. Lufta e SHBA-së në Afganistan dhe Irak-Iran parandaloi po ashtu një aleancë mes Rusisë me Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore. Lufta e sotme në Ukrainë është parandalimi tjetër i aleancës mes Rusisë dhe Evropës. Dhe meqë Rusia i humbi këto dy luftëra të mëdha në Evropë dhe Lindje të Mesme, do ta humbasë edhe luftën aktuale mes Izraelit dhe Iranit në Palestinë. Rusia do një Evropë kundër SHBA-së, një Kinë në distancë për shkak të rrezikut nga gllabërimi kinez, do Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore në armiqësi të përhershme me SHBA dhe Kinë si dhe një Japoni në armiqësi me Kinën për shkak të një invazioni të mundshëm sino-japonez në Rusinë Lindore pa popullsi ruse, por me shumë resurse.
Pra, të gjitha këto që u thanë më lartë janë argumente të mjaftueshme që bota as ka pasur e as që do të ketë vëllazërira fetare. Janë interesat ekonomike ato që kanë mbizotëruar dhe do të mbizotërojnë, prandaj tërë politika është në funksion të plotë të interesave ekonomike, sepse pa ekonomi s’ka bukë e pa bukë s’ka jetë.
/TV Arbëria