Shkruan: Afrim Kasolli
Me rastin e festës se Halloween, lideri i Lëvizjes Vetevendosje si dhe deputeti Albin Kurti e hapi kuletën e shtetit. Nga pozicioni i kontestuar juridik i kryeministrit në detyrë, ai njoftoi opionionin se Qeveria e tij sot e ka miratuar Projekt buxhetin e shtetit për vitin 2026 me vlerë prej 4 miliardë euro, se po ashtu i ka ngritur pensionet nga 120 në 150 euro, ka marr vendim që të gjithë të punësuarit në sektorin publik ta gëzojnë rrogën e 13 nga viti i ardhshëm, e deri te rritja e shtesave për lehonat dhe fëmijët.
Me një “armë” të tillë elektorale në xhep ai shkoi në takimin e ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani, me qellim kerkimin e rrugedaljes për bllokadën institucionale që e ka kapluar vendin që nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ndonëse nuk e mori mbështetjen e duhur parlamentare për votimin e Qeverise Kurti 3, i njëjti sipas burimeve të takimit ka kërkuar edhe pak kohë shtesë.
Tashmë është thënë se kjo mënyrë e miratimit të ligjit themelor të një pushteti, siç është buxheti nga një Qeveri në detyrë, është anti-ligjjore dhe anti-kushtetuese. Shto këtu faktin se Gjykata Supreme e ka bërë të ditur se zyrtarët që i mbajnë njëkohësisht nga dy pozita, atë legjislative dhe ekzekutive nuk kanë të drejtë të marrin vendime të tilla, sepse gjenden në konflikt interesi.
Megjithatë, aktualisht asnjëra nga këto sot nuk kanë rëndësi për liderin e Vetëvendosjes. Me spektaklin e sotëm ai ka për motiv vetëm si ta imponojë agjendën e tij politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që tashmë kanë mbetur i vetmi opsion në tavolinë, pasi subjektet “opozitare” nuk demonstruan vullnet as për kolacion qeverisës me të, e as ndërmjet vete.
Se ai nuk do ta lëshonte këtë rast ka qenë e ditur prej kohësh. Po ashtu, edhe qeverisja jashte çdo kontrrolli paralmanentar e ligjor filloi të shndërrohet gradualisht në një gjendje normale. Tashme ai po sillet si çdo pushtetar racional, i cili nuk e kufizon veten nëse dështojnë segmentet tjera jurdike dhe politike për ta kontrolluar. Dhe pikërisht toleranca e subjekteve “opozitare” ndaj këtyre sjelljeve abuzive gjatë kësaj kohe i ka krijuar hapësire të mjaftueshme për manovrim.
E tëra tash që i ka mbetur është se si të përputhet data e zgjedhjeve paralmanentare me prezencën sa më të madhe të diasporës në Kosovë për festat e fundvitit. Me presidenten Vjosa Osmani në krah të tij nuk përjashtohet as ky skenar. Edhe pse e njëjta aktualisht po deklaron se ka për qëllim t’i shmang plotësisht zgjedhjet e reja.