Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Pse SHBA-të nuk mund ta braktisin Ukrainën?

Pse SHBA-të nuk mund ta braktisin Ukrainën?

Shkruan Afrim Haliti
Në politikën ndërkombëtare pushteti dhe interesat nuk janë kurrë abstrakte.
Çdo fuqi e madhe, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara funksionon në dy linja: në linjën e sigurisë dhe atë të strategjisë ekonomike ku e para përforcon të dytën. Supozimi se këto interesa ekzistojnë në mënyrë të pavarur është keqkuptim themelor i gjeopolitikës. Kombet e fuqishme nuk investojnë interesat e tyre në rajone të paqëndrueshme nëse nuk kanë kapacitete për t’i siguruar këto interesa.
Tash e sa ditë po merremi me Ukrainën dhe çka i tha Trumpi Zelenskyyt! Është e qartë se ndihma ekonomike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara gati kurrë nuk është as akt bamirësie as thjesht mbështetje ndaj demokracisë ‘per se’. Ajo është imperativ strategjik. Përafrimi i Ukrainës me Perëndimin forcon arkitekturën e sigurisë së Evropës, kufizon ndikimin rus dhe ruan stabilitetin në një zonë të rëndësishme për rrjetet globale të furnizimit që nga drithërat e deri tek mineralet e rralla. Kështu, kur Shtetet e Bashkuara shfaqin interes ekonomik në Ukrainë, kjo tregon në mënyrë implicite edhe angazhim për siguri. Të pretendosh të kundërtën do të thotë të keqkuptosh historinë, strategjinë dhe dinamikën e pushtetit. Zelenskyy mund ta ketë mirëkuptuar këtë vetëm sot.
E njëjta logjikë vlen edhe gjetiu. Izraeli dhe Kosova janë shembuj të mirë sesi anëtarësimi në NATO nuk ofron garanci ekskluzive të sigurisë. Izraeli, për shembull, ka marrë prej kohësh mbështetjen e qëndrueshme të SHBA-së, jo vetëm ndihmë ushtarake, por edhe bashkëpunim të gjerë ekonomik dhe shkencor. Pse? Për shkak se stabiliteti dhe forca ushtarake e Izraelit ruajnë dominimin strategjik amerikan në Lindjen e Mesme, ai shërben si një mburojë kundër qeverive armiqësore duke mbrojtur gjithashtu interesat ekonomike dhe të sigurisë perëndimore në rajon. Veprimet ushtarake perëndimore kanë kontribuar gjithashtu në pavarësinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara e mbështetën Kosovën jo vetëm nga bindjet morale, por edhe sepse ruajtja e sigurisë në Ballkan redukton paqëndrueshmërinë rajonale dhe kufizon ndikimet negative nga Rusia dhe të tjerët.
Kjo vë në pah një fakt shpesh të anashkaluar që aleancat nuk bazohen vetëm në traktate të shkruara por ato bazohen në interes. Pavarësisht fuqisë ekonomike, në anën tjetër Bashkimi Evropian ka dështuar vazhdimisht në ofrimin e garancive të forta të sigurisë për shkak të mungesës së koherencës dhe unitetit strategjik. Kjo është arsyeja pse siguria evropiane është ende e varur nga fuqia amerikane dhe jo vetëm përmes NATO-s, por edhe përmes premtimeve të drejtpërdrejta të SHBA-së bazuar në konsiderata ekonomike dhe gjeopolitike.
Të mendosh vetëm se Donald Trump po i bënë mirë Putinit është të keqkuptosh thelbin e fuqisë amerikane. Asnjë administratë amerikane, republikane apo demokrate, nuk do të braktiste një interes kaq të rëndësishëm gjeopolitik siç është Ukraina. Çdo lider që i qaset politikës së jashtme nëpërmjet një pikëpamjeje transaksioni pranon se siguria dhe ekonomia nuk janë objektiva konkurrues, por më tepër janë vetëm dy anë të së njëjtës medalje. Vetëm ata që janë ideologjikisht të verbër ose naivë nuk janë në gjendje ta kuptojnë këtë të vërtetë.
Ndoshta është mësim nga i cili edhe Kosova mund të mësoj shumë, por jo me qeverinë aktuale në dëtyrë apo me kryeministrin aktual në dëtyrë.
Tash, me kënd jeni? Gazi, termocentralet e këto pallavrat sovraniste…