Shkruan: Afrim Kasolli
Që kur u kumtua lajmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, një numër i apologjetëve të pushtetit aktual, filluan ta shpërhapin narracionin, se ky ndëshkim po i bëhet Kosovës vetëm për shkak se Qeveria në detyrë është angazhuar maksimalisht për ta minuar ndikimin e Listës Serbe dhe me këtë edhe të Serbisë në Kosovë. Pra, Albin Kurti po mbron shtetin nga aleanca konspirative e SHBA-ve me Serbinë, pa përjashtuar as aktet subversive të partive opozitare dhe sistemit juridik.
Nuk ka teze më të paqëndrueshme se sa ky spekulim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në asnjë variant nuk janë pro Listës Serbe. Përkundrazi, ato janë kundër saj. Siç tha ditë më parë edhe aleati i kryeministrit në detyrë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si dhe ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ne një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, se në masë të madhe kjo goditje diplomatike e Uashingtonit ndaj Albin Kurtit, erdhi si pasojë e sulmeve brutale të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Kushtetuese. Sepse siç dihet, kjo e fundit është duke e trajtuar lëndën e Listës Serbe sa i përket kërkesës së saj për pozitën e njërit nga nënkryetarët e Kuvendit për komunitete.
Në këtë rast SHBA-të nuk janë duke e mbrojtur Listën Serbe, por ata janë të angazhuar që të mos cenohen të drejtat e përfaqësimit kushtetues të serbëve të Kosovës. Ndërkohë, arsyeja se pse Lista Serbe e ka këtë monopol është temë tjetër.
Mirëpo, askush më shumë se SHBA-të nuk ishin angazhuar për dobësimin e këtij ndikimi. Por jo me masa kushtetuese, por penale e individuale. Në fund të fundit, kur Uashingtoni e kishte futur në listë të zezë, nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radoiçiq, për shkak të aktivitetit të tij kriminal dhe korruptiv, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, koordinohej me të politikisht. Pra kur SHBA-të ishin të angazhuar për ta dobësuar forcën e tij politike, Lëvizja Vetëvendosje e konsideronte atë të pa anashkaluar politikisht.
Ky fakt dhe shumë të tjerë, dëshmojnë se Uashingtoni asnjëherë nuk ka qenë pro Listës Serbe. por ndëshkimin e saj kërkon ta bëjë nëpërmjet mjeteve juridike e jo me anë të fushatave politike propagandistike që mund t’i cenojnë balancat e brendshme kushtetuese. Sepse parada të tilla vetëm e forcojnë këtë subjekt politik te serbet e Kosovës. /TV Arbëria