I ati i Dua Lipës dhe themeluesi i Festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka treguar detajet e edicionit të këtij viti. Në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini, ai ka treguar se festivali nis të enjten, 25 korrik, në orën 14:00 dhe vendi tashmë është bërë një park dhe ka disa skena. Edhe Dua Lipa do të jetë në Kosovë gjatë gjithë kohës së Festivalit.
“Artistët tashmë i njohin Kosovën dhe Shqipërinë përmes Sunny Hill, ne nuk promovojmë vetëm Kosovën, promovojmë vendet e rajonit”, -tha Dukagjini.
I pyetur për armiqësinë e heshtur mes Duas dhe Rita Orës dhe nëse do jetë ndonjëherë Rita në “Sunny Hill”, Dukagjini tha se Rita ftohet çdo vit, por për shkak të angazhimeve të saj, nuk ka mundur të jetë pjesë deri tani.
“Artistët e mëdhenj si Dua, Rita Ora apo Bebe Rexha kanë jetën e paraaranzhuar. Ne e ftojmë çdo vit Rita Orën, por në kohën kur mbahet i ka rastisur të mos ketë mundësi. Por, edhe ajo do të jetë mysafire patjetër”, -u shpreh ai.
“Sunny Hill” do të mbahet nga data 25 deri më 28 korrik në “Sunny Hill Park”.