Shkruan: Basri Beka
Reagimi i Vlora Çitaku ndaj Albin Kurti tregoi edhe një herë problemin kryesor të opozitës në Kosovë: ende nuk e kuptojnë kundërshtarin që kanë përballë.
Kurti del me një narrativë të ndërtuar me kujdes politik dhe propagandistik — ku ai paraqitet si mishërim i “vullnetit të popullit”, ndërsa opozita si bllokuese e shtetit — dhe përgjigjja që merr është: “je i paaftë”, “qetësohu”, “lojëra fëmijërore”.
Kjo nuk është kundërnarrativë. Kjo është reagim emocional.
Problemi me opozitën nuk është vetëm se nuk po e mund Albin Kurti politikisht. Problemi është se po vazhdon ta ushqejë atë. Sa herë që Kurti ndërton narrativë ideologjike dhe opozita përgjigjet me fyerje personale, ai fiton terren.
Sepse Kurti nuk lufton me argumente klasike politike. Ai lufton me perceptim moral. Ai e paraqet veten si “populli”, ndërsa kundërshtarët si elitë destruktive që pengon “vullnetin qytetar”. Dhe përballë kësaj, opozita vazhdon me reagime primitive politike të viteve të kaluara.
Ta quash “të paaftë” nuk e rrëzon narrativën e tij. Përkundrazi, e ndihmon. Sepse ai pastaj del si viktimë e “sulmeve të establishmentit”.
Opozita duhej ta çmontonte deklaratën e tij pikë për pikë: manipulimin me termin “vullnet i popullit”, sofizmin se kush nuk pajtohet me të po bllokon shtetin, përdorimin e frikës ekonomike për të fajësuar opozitën, arrogancën e reduktimit të demokracisë në numër votash personale, paaftësinë e tij për të ndërtuar konsensus politik
Por asgjë nga këto nuk u bë.
Në vend të analizës politike, morëm slogan.
Në vend të dekonstruktimit të propagandës, morëm nervozizëm opozitar.
Dhe ky është shkaku pse Albin Kurti vazhdon të dominojë diskursin publik: sepse përballë ka një opozitë që ende mendon se politika fitohet me etiketime dhe reagime emocionale.
Një opozitë serioze nuk mjaftohet duke e quajtur kundërshtarin “të paaftë”. Ajo ia shkatërron narrativën.
Këtu opozita dështoi përsëri sepse kan dembeli në mendje.