Shkruan: Afrim Kasolli
Jemi mësuar shpesh që pas çdo procesi zgjedhor, opinioni publik të bombardohet nga vlerësimet se si zgjedhjet në Kosovë janë shembull i demokracisë. Apo edhe deri te kualifikimet se si një demokraci e re vendi ynë është po ashtu edhe model që duhet ndjekur pa asnjë hezitim nga të gjitha shtetet tjera rajonale, nëse duhet të përqafojnë konsolidimin një rendi të mirëfilltë demokratik
Mirëpo, nuk ka iluzion më të madh sesa ky gjykim. Dhe kjo nuk të bëjë vetëm me votimin grupor në komunitetin serb, as edhe dyshimet se është tjetërsuar vullneti i qytetarëve të Kosovës para ditës së votimeve, nëpërmjet skemave të transfereve sociale nga pushteti, por me një defekt të kahershëm e që po përsëritet në vazhdimësi pas përfundimit të ditës së votimit. Sepse demokracia nuk ka të bëjë vetëm me displinën e qytetarëve për të votuar pa incidente dhe eksese ditën e votimit, por me administrimin e vullnetit të tyre pas përfundimit të këtij procesi.
Me këtë rast, ashtu sikur se në zgjedhjet e kaluara, mjerisht edhe në këto të 28 dhjetorit, Kosova nuk ishte imune nga abuzimet post-zgjedhore. Kjo edhe është arsyeja që KQZ u detyrua të marrë vendim për rinumërimin e një të tretës së vendvotimeve, duke mos e përjashtuar mundësinë që të shtohet ky numër. Sipas komunikatës zyrtare të këtij institucioni janë “vërejtur mospërputhje për votat e kandidatëve për deputetë, kur rezulton se votat për këta të fundit, të numëruara nga Qendrat Komunale të Numërimit nuk e pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”.
Këtu duhet kujtuar se manipulime të tilla e që është thënë se në vazhdimësi ndodhin, kanë të bëjnë me “masakrimin” që ndodh në listat brendshme të subjekteve politike nga komisionarët duke i shtuar votat për kandidatët e tyre të preferuar, e jo ashtu siç kanë votuar qytetarët.
Fatkeqësisht, një dukuri e tillë është bërë repetitive. Ndërkohë, nuk është që kemi parë se ka pasur ndëshkime juridike për ata komisionerë që e kanë prekur vullnetin demokratik të qytetarëve për hir të klientelës së tyre grupore partiake. Edhe sa i përket rastit të fundit ende nuk ka asnjë aktakuzë zyrtare.
Ndërkohë, nuk ka gjë më të lehtë se sa te hetohet ky proces, ngase dihet saktësisht se për cilat vendvotime është fjala dhe kush kanë qene komisionerët e emëruar nga partitë politike. Nuk mjafton vetëm rinumërim i votave nëse abuzime të tilla kalojnë pa sanksione penale. Sepse edhe nëse restaurohet dinjiteti i mohuar i procesit zgjedhor nuk rikthehet koha e humbur.
E nuk ka krim më të madh në një shoqëri se sa vjedhja kolektive kohës për hir fuqizimit të një kandidati kundër tjetrit. Kjo është arsyeja që procesi zgjedhor në Kosovë lëngon tej mase sa i përket standardeve demokratike me bekimin e të gjitha partive politike.
/TV Arbëria