Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse po tentojnë t’i vrasin për së dyti komandantët e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut?

Pse po tentojnë t’i vrasin për së dyti komandantët e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut?

Shkruan: Astrit Gashi

Ajo që po ndodh sot me kujtimin e luftës çlirimtare dhe figurat e saj qendrore është një tradhti e heshtur.
Sot po ndodh një proces i ngadalshëm, pothuajse kirurgjikal, për t’i zhveshur heronjtë nga madhështia e tyre historike dhe për t’i kthyer ata në thjesht emra pa peshë mbi pllaka të ftohta mermeri, ndërsa familjet e tyre lihen në harresë e pa asnjë kujdes institucional.
Egjiptianët e vjetër besonin se njeriu vdes dy herë:
Herën e parë, kur i ndalet frymëmarrja.
Herën e dytë, kur i harrohet emri ose kur ideja e tij tjetërsohet.
Këtu, në hapësirën tonë në Shkupin dardan e kudo në trojet tona, po dëshmojmë tentativën makabre për t’i “vrarë” për së dyti ata që falën gjithçka për lirinë tonë.
Pse po heshtim kur po vijnë përvjetorët e heronjve kombëtarë, kur vijnë përvjetorët e Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës?
Ku është respekti i merituar për strategët e papërsëritshëm si Tahir Sinani, Harun Aliu – Komandant Kushtrimi, Fadil Nimani – Komandant Tigri e dhjetëra trimave të tjerë?
Dje ishte përvjetori i Shqiponjës; javën që po hyjmë është ai i Tahir Sinanit, arkitektit të luftërave çlirimtare, dhe pse e ngrita zërin, askush nuk lëviz.
Ndërkaq sot, kur mërgata jonë kthehet në atdhe për pushime, çdo mërgimtar goditet në ndërgjegje tek sheh se si vigani i luftës çlirimtare në Orizaren legjendare, Ismet Jashari, është katandisur në një shtatore të vogël, të punuar shkel e shko një fyerje e hapur për veprën e tij.
Në vend të manifestimeve me dinjitet që frymëzojnë brezat e rinj, shohim vetëm:
Ceremoni të zbehta dhe organizime të improvizuara sa për të “larë gojën”.
Fjalime burokratike të mbushura me klishe të konsumuara.
Foto çasti për rrjete sociale ku, sapo ulen dritat e kamerave, politikanët kthehen në rehatinë e tyre, ndërsa dëshmorët dhe familjet e tyre lihen sërish në vetmi.
Madje, absurditeti dhe dhimbja arrijnë kulmin kur sheh realitetin e përditshëm të Shkupit dardan. Ata që me gjakun e armët e tyre na sollën lirinë që gëzojmë sot, jo vetëm që nuk nderohen apo respektohen, por janë lënë në mëshirë të fatit, duke u përballur çdo ditë me një luftë të egër për mbijetesë ekonomike e sociale.
Është turpi më i madh për të gjithë si shoqëri, si komb e si institucione të shohim se si njerëzit që sfiduan vdekjen për dinjitetin tonë, sot duhet të luftojnë për bukën e gojës, të anashkaluar e të harruar nga ata që u ngjitën mbi sakrificën e tyre.
Turpi më i madh mbi këtë realitet bie mbi ata që dikur ndanë rovin, bukën, ujin dhe plumbat me këta komandantë. Si ka mundësi që sot, disa shokë tanë zgjedhin të ulin kokën dhe të heshtin si struci?
Kjo heshtje nuk është vetëm plogështi; është bashkëfajësi e plotë. Të heshtësh kur sheh se si po përdhoset e po tjetërsohet lufta e shokëve të tu të rënë, do të thotë t’u kesh kthyer shpinën atyre. Kur ne heshtim, ne i lëmë ata të pambrojtur përballë harresës.
Pjesa më e pështirë e këtij kapitulli është gjendja në të ashtuquajturat “shoqata “. Të kthyera në çerdhe oportunizmi, ato sot drejtohen shpesh nga individë joadekuatë, njerëz pa asnjë peshë morale e kombëtare, që luftën e shohin thjesht si kartëvizitë apo mjet për përfitime personale e politike.
Apo mos fajet i ka Stojançe Angelovi nga pala tjetër, i cili me bekimin dhe heshtjen e disa të ashtuquajturve komandantë tanë, merr pensione e dëmshpërblime prej qindra mijëra eurosh, ndërsa ushtarët tanë mbeten të anashkaluar?
Këta individë vuajnë nga një kompleks i thellë inferioriteti: tentojnë me dëshpërim të ngrihen MBI figurën e heronjve. Pasi nuk kishin as kurajën, as vizionin dhe as madhështinë e atyre që ranë, sot përpiqen t’i zvogëlojnë dëshmorët që të duken vetë më të mëdhenj. Ato i kanë kthyer organizatat e luftës në satelitë politikë, duke bërë pazar me sakrificën më sublime të këtij populli.
Ismet Jashari, Tahir Sinani, Harun Aliu e Fadil Nimani nuk kapën armët për postet, tenderët apo lavdinë personale të askujt sot. Ata ranë që ne të jetojmë lirshëm dhe me dinjitet.
Të lejosh harresën e tyre është dekadencë morale e një shoqërie që po humb kompasin. Është koha e fundit që:
Çdo bashkëluftëtar me dinjitet të mbetur,
Çdo intelektual që e dhemb e vërteta,
Çdo qytetar që ndien përgjegjësi ndaj të ardhmes,
të ngrejë zërin pa asnjë kompromis!
Duhet pastruar ky pluhur oportunizmi nga secili bashkëluftëtar dhe t’i kthehet altarit të lirisë shkëlqimi e respekti që i takon. Fatkeqësisht, Shkupin e Hasan Prishtinës e Nënës Terezë s’e kisha menduar asnjëherë të tillë!