Shkruan: Afrim Kasolli
Prej kur është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka rënë në sy një distancim i hapur publik nga vet partia e tij. Në masë të madhe janë treguar shpërfillës në raste kur kanë qenë së bashku në evente të ndryshme. Thuajse, kryetari i Kuvendit të Kosovës të mos ketë qenë prezent në mesin e figurave tjera të hierarkisë së partisë. As nuk marrin mundin t’i referohen duke e devalvuar si atë personalisht ashtu edhe institucionin që e përfaqëson. Shto këtu faktin se sipas interpretimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë Kuvendi i Kosovës është themeluar edhe përkundër mosvotimit të nënkryetarit nga minoriteti serb, e për të cilin në njoftimin e saj zyrtar Gjykata Kushtetuese, ka bërë të ditur se nuk e konsideron të finalizuar këtë proces. Është kjo indiferencë e çuditshme e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Dimal Bashës, nga e cila si duket të jetë inspiruar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila mbajti një qëndrim poshtërues ndaj kryekuvendarit gjatë në një organizimi në komandën e KFOR-it.
Ky ndryshim i befasishëm i Lëvizjes Vetëvendosje në raport me kandidatin dhe të votuarin e tyre për kryetar të Kuvendit ka nxitur spekulime nga më të ndryshmet. Që nga ato që kanë të bëjnë me zbulimin e shkrimeve të tij propagandistike kundër UCK-së etj, e deri të fakti se dhe vetë Albin Kurti u zu në befasi me suksesin e Dimalit në Kuvend. Interpretim i parë është pak i besueshëm, sepse teza të tilla në mënyrë te hapur ka mbrojtur edhe ministrja aktuale në detyrë Donika Gërvalla, por nuk është vërejtur një ftohje e tillë politike.
Me këtë rast ky tjetërsim politik i raporteve ndërmjet partisë dhe drejtuesit e Kuvendit mund të jetë pasojë e dinamikave të brendshme partiake. E para ka gjasa që ky veprim të ketë ngjallur pakënaqësi të brendshme politike. Sepse është parë nga vetë anëtarët e kësaj strukture si tallje më institucionin e Kuvendit.
Megjithatë shkaku me i thellë i frustrimit të Albin Kurtit me Dimal Bashën mund të jetë edhe pasojw e faktit se ai u pranua si “kandidat konsensual” edhe nga subjektet tjera “opozitare”.
Natyrisht, arsyetimi i tyre është se i qëndruan besnik premtimit të tyre për ta votuar çdo kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit. Mirëpo në sytë e Albin Kurtit kjo mund te shihet edhe pasojë e qëndrimit jo tw duhur militant kundër tyre, pavërisht zhurmës që ia kishte bërë në Kuvend për një mandat. Në këtë mënyrë i njëjti ka dëshmuar se nuk ka arritur ta fitojë armiqësinë e pa riparueshme me “opozitën”, për çka edhe mori bekimin e disa deputetëve të saj, duke e siguruar numrin magjik prej mbi 61 votave. Sepse për Albin Kurtin aktivist i denjë politik është vetëm ai që i ka djegur të gjitha urat e bashkëpunimit me të gjitha forcat tjera politike
Në këtë kontekst, me sigurimin e mbështetjes për pozitën e kryetarit të Kuvendit sipas të gjitha indikacioneve, Dimal Basha nuk e kaloi këtë test bazik partiak, për çka edhe është duke e fituar zemërimin e liderit çdo ditë e më shumë, hapur dhe publikisht. /TV Arbëria