Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Pse po ikin shqiptarët nga atdheu i tyre?

Pse po ikin shqiptarët nga atdheu i tyre?

Shkruan: Afrim Kasolli

Duke u bazuar në të dhënat statistikore të Eurostatit, instituti GAP gjatë ditës së djeshme i ka prezantuar disa nga trendët kryesore të arratisjes së qytetarëve nga Ballkani Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Sipas këtij hulumtimi Kosova dhe Shqipëria prinë me numrin e qytetarëve në raport me popullsinë e përgjithshme që për katër vite i kanë braktisur këto shtete.

Prej vitit 2021 deri në vitin 2024, nga Kosova janë larguar 210.444 banorë. Kurse nga Shqipëria 324.151. Pra për katër vite shoqëritë shqiptare janë tkurrur për 13 për qind të shumës së tyre totale.

Numër ky pa krahasimisht më i lartë se i Serbisë me 4 për qind, Bosnje Hercegovinës me 9 për qind, Maqedonisë së Veriut me 7 për qind si dhe Mali i Zi me 3 për qind. Ndërkohë, këtu duhet pasur parasysh faktin se bëhet fjalë vetëm për ata qytetarë që brenda këtij harku kohor kanë marr leje qëndrim në kuadër të shteteve të Unionit Evropian, duke mos e përfshirë “emigrimin në Britani të Madhe, SHBA, Kanada” etj. Kurse vetëm gjatë vitit 2024 nga Kosova janë larguar 38.770 qytetarë.

Po ashtu, në këtë liste nuk figuron as numri i azil-kërkueseve që ka kërkuar strehim politik e ekonomik në njërën nga këto shtete. Në fund të vitit 2024 Komisioni Evropian kishte raportuar se vetëm gjatë vitit tw kaluar kërkesa e qytetarëve të Kosovës për azil ishte rritur në 100 për qind. Në shtatë muajt e parë të vitit “2024 ishin paraqitur 3.905 kërkesa për azil në vendet e BE-së nga shtetasit e Kosovës, gjë që paraqet rritje prej 108 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”, thuhej në të njëjtin raport. Me këtë rast nga janari deri në korrik të të njëjtit vit “mesatarisht mbi 550 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Evropës çdo muaj”.

Sidoqoftë, sa i përket Kosovës për katër vite një qyteti i tërë sa Prishtina është “zhdukur” nga harta gjeografike e Kosovës.

Ekzistojnë supozime të shumta mbi shkaqet e kësaj “hemorragjie kombëtare”, sikur se ato ekonomike, e të kërkimit të sigurisë personale e familjare në botën e madhe, që po i nxisin shqiptarët e Kosovës të ikin nga atdheu i tyre. Ndonëse nuk mund të mohohet ndikimi i secilit prej këtyre faktorëve, megjithatë njëri nga më kryesoret nuk ka dyshim se mbetet më shuarja kolektive e shpresës se do të mund ta ndryshonte gjendja politike dhe shoqërore në vend.

Dhe kjo vrasje e besimit për ta bërë më të mirë atdheun e tyre është pasojë e drejtpërdrejtë e shkatërrimit politik që i ka ndodhur Kosovës. Është kjo humbja mw e madhe qytetare që i ka ndodhur shoqërive tona, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Prandaj, në vend të angazhimit kolektiv për ta bërë vendin e tyre si ato të BE-së, shumica sot është e angazhuar si t’i sigurojë këto kushte për vete dhe familjet e tyre në njërin e nga shtetet perëndimore. Nuk është e rastësishme që ashtu si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë opozita është e dobët. Sepse ajo nuk shihet si alternativë ndaj pushtetit. Çfarë po ndikon që qytetarët në të dy vendet në vend të identifikimit për të prodhuar ndryshime preferon arratisjen.

Nëse qytetarët e Kosovës dikur ishin në gjendje t’i rezistonin shtypjes, represionit dhe aparteidit të e instaluar nga Serbia, e të mobilizoheshin bashkërisht nga aspirata historike për shtet, sot të njëjtit pasi e kanë fituar këtë të fundit pas shumë sakrificave dhe krajtave po e braktisin atë me një lehtësi të padurueshme duke marrë me vete vetëm ëndrrat e thyera, kujtimet e plagosura dhe dhimbjet shpirtërore për humbjen pa kthim të atdheut të të parëve.

Historikisht shpopullimi i territoreve shqiptare ka enjë një projekt i kamotshëm i shteteve armiqësore të kombit tonë. Ky intence djallëzore e tyre mjerisht po bëhet sot realitet nga vet politika shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. /TV Arbëria