Shkruan: Afrim Kasolli
Nëse ka diçka që i ka karakterizuar këto ditë partitë “opozitare” ka qenë heshtje e tyre politike në raport me insistimin e ZRRE-së që i detyron kompanitë e mëdha vendore të dalin në treg të hapur energjetik. Gjatë ditës së djeshme u ZRRE e njoftoi opinionin se edhe Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale e ka konsideruar si të ligjshëm vendimin e saj për detyrimin e bizneseve që të dalin në treg të hapur energjetik. Madje i njëjti trup administrativ i trimëruar nga ky vendim si dhe ai i mëhershmi i Gjykatës Themelore, nuk harroi t’i kërcënoi kompanitë e prekura nga ky vendim se nëse nuk nënshkruajnë kontrata më njërin nga furnizuesit e licencuar për shpërndarje të energjisë do të mbesin pa rrymë.
Mirëpo, përpos disa zërave të “vetmuar opozitarë” thuajse nuk pat asnjë reagim dhe kundërshtim të duhur politik ndaj kësaj katrahure që mund ta godas jetën ekonomike.
Hykmete Bajrami nga LDK premtoi se më të formuar Kuvendi i Kosovës gjëja e parë që do ta bëjnë do të jetë krijimi i një Komisioni Hetimor Parlamentar për ta hetuar ZRRE-në për këtë vendimmarrje skandaloze. Një metodë tashmë kjo e dëshmuar si jo shumë efikase. Kurse ish-kryeministri dhe deputeti aktual i LDK-së Avdullah Hoti, nëpërmjet një reagimi në rrjetin e tij social, ka shkruar se apatia qeveritare për këtë situatë po “dëshmon se tashmë asaj jo vetëm që po i vjen era, por edhe po kundërmon”. Ndërkohë, si duket Partia Demokratike e Kosovës, po mjaftohet me dërgimin e mëhershëm në Gjykatën Themelore të kërkesës për pezullimin e vendimit në fjalë, kërkesë kjo që nuk mori miratim nga ajo instancë juridike.
Sidoqoftë , nëse “apatia e pushtetit” mund edhe të kuptohet, sepse tashmë është bërë e qartë se kompani të lidhura më të janë licencuar për të përfituar nga ky biznes i ri, megjithatë ajo e opozitës nuk mund të “kuptohet”.
Ky solidaritet apolitik i “opozitës me pushtetin” ose është pasojë e faktit se njëra nga kompanitë kryesore për distriubuim të energjisë edhe në treg të hapur mbetet KESCO, prandaj nuk mund të dalin kundër saj, ose tashmë janë duke kalkuluar që ta shfrytëzojnë shansin që edhe të njëjtit ta provojnë fatin në këtë biznes, ashtu sikur se vëllai i i Luan Dalipit. Sepse përndryshe nuk mund të shpjegohet kjo sjellje e tyre apolitike . Përpos se e kushtëzuar nga të njëjtat konsiderata financiare sikur të pushtetit. /TVARBËRIA