Shkruan: Afrim Kasolli- Ka mjaftuar një deklaratë dje në top storyn e Ali Ahmetit, se Albin Kurti në dallim nga Edi Rama, ka pasur rol të anshëm në politikën shqiptare në Maqedoni të Veriut, që sot mbështetëtsit e kryeministrit Kurti t’i vërsulen liderit të Bashkimit për Integrim Demokratik.
Sulmet e Vetëvendosjes kundër Ali Ahmetit, nuk janë diçka e re. Ato kanë filluar të shpeshtohen gjithnjë e më shumë kohën e fundit. Kurse origjina e tyre daton që nga koha kur njeriu i Albin Kurtit, që kishte propozuar që Serbisë t’i mundësohet dalja nëpërmjet territorit shqiptar në ujrat detare, pat kandiduar për president të Maqedonisë.
Pata shkruar edhe më herët se keto sulme brutale për formacionin më të madh shqiptar atje, BDI-ne të drejtuar nga Ali Ahmeti, si njëri nga protagonistët më të njohur të luftërave çlirimtare kombëtare duke e përkufizuar si mbetje të regjimit të vjetër etj etj, duhet kuptuar edhe nga një motiv tjetër.
Kështu, për shkak të deligjitmimit që pësuan në Kosovë partitë e dala nga kjo trashëgimi, kurse disa nga drejtuesit e saj kryesorë, edhe u detyruan të largohen plotësisht nga Kosova për shkak të gjykatës speciale, atëherë Albin Kurtit me shpurren e tij nuk i ka mbetur tjetër armik nga kjo luftë, pos Ali Ahmetit.
Ngase, është ky i fundit që ende e mban gjallë politikisht trashëgiminë e kësaj lufte. Prandaj, në këtë pasion për ta zhbërë kujtesën e fundit politike të saj duhet kuptuar edhe urrejtjen e pushtetit aktual në Kosovë për këtë lider dhe dashurinë për drejtues si Bilal Kasemi.
/TV Arbëria